Kryetari i Komisionit qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se delegacioni i Kosovës e ka marrë premtimin nga emisari i Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak, se për kërkesat e parashtruara nga Kosova do të raportohet te shtetet anëtare të bllokut.
Hoti ka shtuar se kjo për shtetet e BE-së do të thotë se Kosova po e bën pjesën e saj, por se Serbia po refuzon sërish të bashkëpunojë. Ka theksuar se për çështjen e personave të zhdukur, nuk ka zgjidhje tjetër përveç kushtëzimit të Serbisë.
“Lajçak ka takuar delegacionin e Kosovës dhe kërkesat që i kemi pasur t’i parashtrojmë në kuadër të takimit të Komisionit, ia kemi parashtruar Lajçakut dhe ai na ka dhënë premtimin që këto kërkesa do të raportohen te shtetet anëtare të BE-së. Kjo nuk është rezultat direkt pozitiv në çështjen e personave të zhdukur, por meqë po raportohet te shtetet anëtare të BE-së që ne po i dorëzojmë kërkesat e Serbia po refuzon prapë të bashkëpunojë, shtetet anëtare së paku e ka mundësinë... që Serbia nuk duhet ledhatuar, as lutë, as presion, por Serbia duhet kushtëzuar. Nuk ka zgjidhje tjetër përveç kushtëzimit të BE-së drejt Serbisë”, ka thënë Hoti në emisionin “60 Minuta” në KTV.
Të mërkurën ka dështuar takimi i parë i planifikuar i Komisionit të përbashkët për persona të zhdukur, në Bruksel. Kosova prezantoi prioritetet e saj, e Serbia nuk ka marrë pjesë në takim duke u arsyetuar me zhvillimet në Kosovë të mërkurën – mbyllja e strukturave paralele në disa rajone.