Arbëri

Hoti ngre dyshime për manipulim të votave me postë, Qorrolli e quan “puç politik” të LDK-së

Pamje nga QNR ne Prishtine, salla 1 tetori, zgjedhjet 2025 (Foto: Driton Paçarada)

Foto: Driton Paçarada

Zëvendësministri i Drejtësisë, Vigan Qorrolli, ka deklaruar se anëtari i Kryesisë së LDK-së, Avdullah Hoti, e ka pranuar se partia e tij i ka manipuluar votat me postë nga diaspora.

Qorrolli ka reaguar ndaj Hotit që të hënën u shpreh se votat nga diaspora ishin joproporcionale me ato në Kosovë, teksa zyrtari i qeverisë shtoi se ky ishte “inxhinjering politik i paskrupullt nga Abdixhiku për të ngritur disa kandidatë dhe për të fundosur të tjerët”.

Sipas Qorrollit, LDK-së “i ka rënë maskat”, teksa shtoi se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka një provë më shumë për manipulimet me vota.

“Ish-kryeministri Hoti e pranoi sot hapur dhe pa asnjë shybe: LDK i ka manipuluar votat me postë nga diaspora! Një inxhinjering politik i paskrupullt nga Abdixhiku për të ngritur disa kandidatë dhe për të fundosur të tjerët. Vullneti i qytetarëve u ble dhe u shit si plaçkë pazari. Tani PZAP-i ka plus një provë, të thënë troç nga një ish-KM: votat e manipuluara të LDK-së DUHEN ANULUAR një orë e më parë! Ky është një PUÇ politik i Abdixhikut dhe i sojnikëve të mbështetur prej tij”, ka shkruar Qorrolli.

Hoti, ish-kryeministër, ka thënë në reagimin e tij në Facebook se ekziston një fenomen i panatyrshëm mbi votat nga diaspora dhe ato në Kosovë, derisa ka përmendur se ky fenomen ka prekur edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në votimin me postë, disa kandidatë të listës së LDK-së janë votuar po ashtu joproporcionalisht krahasuar me votimin në Kosovë. Të dy këto dukuri, kur analizohet komunë për komunë, duket qartë se nuk janë aspak të natyrshme”, ka thënë Hoti.

Partia në pushtet ka paraqitur ankesë kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shpalljen e rezultateve përfundimtare.

LVV-ja pretendon se në votimin me postë ka pasur vjedhje të votave nga ana e LDK-së. Sipas përfaqësuesve të saj, fletëvotimet u plotësuan me stilolaps me ngjyrë të njëjtë, kanë shtypje të njëjtë dhe adresë të njëjtë.