Arbëri

Hoti me kritika për Qeverinë: Mashtrues nga i pari deri te i fundit

Ish-kryeministri Avdullah Hoti

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria aktuale për katër vjet udhëheqje ka pasur në dispozicion rreth 12 miliardë euro për investime, por që “për këto vite qeverisje një shenjë nuk e ka lënë në Kosovë”, raporton Ekonomia Online. 

Ai për EO ka thënë se Qeveria në vend që të merret me realizmin e premtimeve që ka bërë, po merret me qeveritë e kaluar.

Hoti, i cili aktualisht është deputet i LDK-së, ka thënë se asnjë nga premtimet që ka dhënë VV-ja në fushatën zgjedhore të viti 2021 nuk është realizuar. Ai më këtë rast ka përmendur edhe mosrealizmin e premtimit të Kurtit për funksionalizmin e Aeroportit të Gjakovës. 

“Këta po e përmbyllin mandatin e tyre, dhe nëse ende nuk ki se çfarë të raportosh si punë të kryera, suksese të arritura, realizim të premtimeve që janë bërë më herët, atëherë ti i kthehesh kritikave për qeveritë e kaluara. Nuk ka asnjë logjikë që në vitin e katër të mandatit qeverisës të kthehen në qeveritë e kaluara. Merreni shihni programin politik të Lëvizjes Vetëvendosja të cilët kanë dalë në zgjedhjet e vitit 2021 dhe sa e kanë realizuar. Do ta shihni që në asnjërën prej fushave nuk është realizuar asnjë nga premtimet, e pash promovimin e një granti për mbështetjeje të investimeve të diasporës, që është një mashtrim i radhës. Ka qenë premtim zgjedhor, funksionalizimi i Aeroportit të Gjakovës, në mënyrë që mërgimtarët të shfrytëzojnë këtë mundësi për çmimet më të lira për të ardhur në vendlindje, kështu thuhet në programin e Vetëvendosjes”, ka thënë ai. 

Hoti ka thënë se kjo Qeveri “një shenjë nuk e ka lënë në Kosovë”, duke nënkuptuar se nuk kanë bërë as një investim. 

“Janë rreth 12 miliardë euro që kanë pasur në dispozicion për këto katër vite, një shenjë nuk e kanë lënë në Kosovë. Sepse kur e kryen mandatin qeverisës një Qeveri e lenë një gjë mbrapa, e bënë një autostradë siç është bërë në të kaluarën, një rrjet të shkollave ose sigurimet shëndetësore. Është viti i katërt, po mbarohet mandati, ende as afër nuk janë përgatitjen për mbledhjen e sigurimeve shëndetësore ose sistemin informatikë shëndetësor. Këta e përfunduan mandatin është çështje muajsh dhe vendi ynë do të shkoj ose në zgjedhje të parakohshme ose në zgjedhjet e rregullta”, ka thënë ai. 

Ish-kryeministri ka thënë se ministri i Financave Hekuran Murati se bashku me shefin e tij në Qeveri janë duke mashtruar me shifra, për këtë ai ka thënë se “kjo Qeveri nga i pari të i fundit janë mashtrues”.

Ai ka thënë se qytetarët duhet të bëjnë një analizë të buxhetit të tyre familjarë dhe të krahasojnë atë se a janë sot më mirë krahasuar me atë që ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. 

“Nuk shoh se ky model i qeverisjes mund ta marrë prapë mbështetjen në zgjedhjet e ardhme. Qytetarët le ta analizojnë buxhetin e tyre të familjes le ta shohin se a janë sot më mirë krahasuar me atë që ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. Në arsim ky dy tre vjet me radhë nuk fillon mësimi me rregull, nuk ndërtohen çerdhet e premtuara, në funksionalizohet sistemi i informimit shëndetësor, nuk funksionializohen sigurimet shëndetësore, nuk ka furnizim adekuat me barnat e listës esenciale, tek ekonomia dhe buxheti abuzim masiv me buxhetin e shtetit, edhe në investimet kapitale, projekte në të gjithë Kosovën ashtu siç i kanë lënë qeveritë e kaluara. Në politikën e jashtme asnjë njohje për katër vjet, më bëri përshtypje deklarimi i ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për heqjen  e vizave me Tajlandën. Një politikë e Tajlandës për të hequr vizat për çështje të turizëm dhe këta e kthejnë dhe e mashtrojnë opinion publik sikur arritje në politikën e jashtme”, ka thënë ai për EO.