Hoti ka shkruar në Facebook të martën se gjatë qeverisjes së kryeministrit Alin Kurti, është rritur kostoja e energjisë dhe e tatimit, por jo edhe pensionet dhe pagat.
“Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa ‘të thella’ janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!!! Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, ka thënë Hoti.
Sipas deputetit të partisë në opozitë, rreth 1 miliard euro nga mjetet e planifikuara në investime kapitale nuk janë shpenzuar.
“Investimet e komunave, sado që janë të vogla, janë penguar përmes vonesave në alokimin e mjeteve nga Qeveria. Investimet e jashtme janë reduktuar në shpenzimet e mërgimtarëve kryesisht në patundshmëri, pasi investime nga kompanive të huaja pothuajse nuk ka fare”, ka shtuar ai.
Ai e ka akuzuar Kurtin edhe për prishje të raporteve me ndërkombëtarët.
“Kjo është e kuptueshme pasi Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët. Qasja e tyre, e bazuar në agjenda politike lokale dhe e paakorduar me aleatët, e bllokoi agjendën euro-integruese të Kosovës, i bllokuan njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë dhe e ktheu Kosovën prapa. Sot, Kosova shihet nga aleatët jo si një vend me sfida për integrim euro-atlantik, por si një vend me sfida të sigurisë rajonale, ku duhet rritur praninë e KFOR-it, e duhet vizituar nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës”, ka shkruar Hoti.