Ish-kryeministri Avdullah Hoti ka akuzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) duke thënë se ka dështuar të sigurojë një proces zgjedhor kredibil e me integritet.
Hoti i LDK-së, që do të jetë deputet edhe në legjislaturën e ardhshme, ka thënë se shpallja e rezultateve 5 javë pas zgjedhjeve “tregon për dështimin e sistemit për menaxhimin e procesit zgjedhor”.
“ KQZ-ja ka dështuar të sigurojë një proces zgjedhor kredibil e me integritet. Kjo është për keqardhje pas disa palë zgjedhjeve të organizuara sipas standardeve evropiane, që e veçonin Kosovën nga vendet e tjera të Ballkanit. Kjo është për keqardhje pas kulturës demokratike të treguar nga qytetarët në ditën e zgjedhjeve. Njollë e këtyre zgjedhjeve do të mbetet edhe çështja e votave nga diaspora, për të cilat janë hedhur dyshime, si për votimin në ambasada/konsultata, ashtu edhe për votimin me postë. Këtë nuk e ka merituar Kosova. Për këto dështime duhet të ketë përgjegjësi politike dhe ligjore”, ka shkruar Hoti në Facebook.