Arbëri

Hoti: Kemi filluar punën në pesë lokacione në Kosovë për varreza masive

Është mbajtur takimi i deputetëve të komisionit parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës, me përfaqësuesit e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Kryetari i komisionit qeveritar, Andin Hoti ka thënë se si komision por edhe në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë janë duke punuar në ndryshimin e Ligjit për të pagjeturit.

Ai ka shtuar se aty janë adresuar kërkesat e tyre dhe të familjarëve, të cilat prekin ligjin për kategoritë e dala nga lufta dhe atë për pensionet.

“Kemi kërkuar që të ndryshohet emri i Ligjit në ligj për të zhdukurit me forcë sepse ata janë kidnapuar. Ka disa vjet që databaza nuk ka funksionuar dhe kemi arritur ta funksionalizojmë, ku ne dhe familjarët kanë qasje në të dhëna. Kemi filluar të punojmë në disa lokacione brenda Kosovës. Për hir të mos shqetësimit të familjarëve ne nuk i kemi bërë publike se cilat janë lokacionet, janë pesë të tilla në Kosovë. Prioritet kryesore mbeten lokacionet në Serbi. 5 lokacionet qe i kemi gjetur deri më tani nuk janë të vetme. Kemi kërkuar nga pala serbe që të kemi qasje edhe ne lokacione tjera. Një nga sfidat kryesore është mungesa e informacionit të verifikuar, ne jemi dëshmitarë që ka pasur informacione të rrejshme nga ana e Serbisë. Një nga sfidat qe e kemi adresuar edhe para dy jave në Bruksel është qasja në arkivat shtetërore të ushtrisë dhe policisë serbe. Arkivat e Serbisë ndihmojnë shumë në zbardhjen e fatit të te zhdukurve por nuk janë rruga e vetme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se ka kërkuar disa herë që të rritet presioni ndaj Serbisë që këtë çështje mos ta trajtojë në mënyrë politike por humane.

“Kemi kërkuar nga Lajçaku garanci që kjo çështje të ketë një afat kohor për zgjidhje. Ne parim jemi pajtuar për këtë por nuk kemi marrëveshje, kjo çështje nuk mund të zgjasë në pafundësi”, ka thënë ai.

Deputetja Duda Balje ka pyetur se ku është dobësia e Kosovës në çështjen e të pagjeturve.

“Qysh mund të bëjmë presion ndaj Serbisë. Cila është adresa juaj”, ka pyetur ajo.

Hoti ka thënë se një prej mungesave është stafi, për të cilin veç kanë kërkuar ngritje të kapaciteteve, edhe nga ambasadat që i mbështesim.

“Fatkeqësia jonë është që kemi të bëjmë me një shtet siç është Serbia. Ku ne mund të bëjmë presion është BE-ja, shtetet tona partnere dhe ato të bëjnë presion ndaj Serbisë. Serbia ka thënë se i ka dhënë Kosovës 2 mijë dokumente por pyetja është e thjeshtë: ku është prindi im dhe mbi 1600 persona tjerë. Pra ata mund të na japin dokumente por ato nuk kanë vlerë”, ka thënë ai.

Deputetja Saranda Bogujevci, ka thënë se Komisioni parlamentar duhet të luajë rol më aktiv në këtë çështje, të mos ndërhyjë në punën e komisionit qeveritar.

Ajo ka pyetur se çfarë munden konkretisht si komision parlamentar të ndërmarrin që ta shtyejnë përpara çështjen e personave të zhdukur.

“Kemi mundësi edhe si deputetë me pasë edhe rol më aktiv”, ka thënë ajo.

Hoti ka thënë se do ta trajtojnë çështjen e një anëtari që ata e kanë deleguar për t’u marrë me çështjen dhe po e konsiderojmë si anëtarin e trete te komisionit. Është e nevojshme qe si komision parlamentar të kemi mbështetje nga ju, e nevojshme tu qartësohet edhe miqve ndërkombëtarë se Kosova e trajton këtë çështje humane ndërsa Serbia jo, ajo po e fsheh trupat. Aktualisht personat e zhdukur janë pa status, konsiderohen si viktima dhe këtu na duhet ndihmë sepse nuk mendoj qe të konsiderohen si viktima, mendoj që duhet të kenë status të veçantë, nuk po paragjykoj nëse duhet të kenë status të dëshmorit”, ka thënë ai.

Deputetja e PDK-së, Ariana Shoshi-Musliu ka pyetur se cili është bashkëpunimi i tij  me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimin i cili është i ngarkuar me çështjen e dialogut dhe kur do të jetë takimi i radhës në Bruksel për këtë çështje.

 Hoti ka thënë se sa i përket takimit në Bruksel ai nuk është pjesë e delegacionit, pavarësisht që në takimin e fundit ka qenë i planifikuar një takim edhe i tij me Serbinë  “por Serbia bëri provokim me sepse dërgoi Odaloviqin por ne nuk mund të takoheshim me të. Bashkëpunimin me Z. Bislimi natyrisht se e kam të mirë, por unë nuk jam anëtar i delegacionit në Bruksel”.