Mësimdhënësi Agron Cakaj nuk sheh të ardhme për familjen e tij në Britaninë e Madhe.
Pasi u shpërngul nga Kosova në vitin 1998 kur nisi lufta, ai tha se kishte synim të arrinte ëndrrën e tij, por më vonë e kuptoi se kjo kurrë nuk do të bëhej realitet.
Në një rrëfim për BBC-në, Cakaj ka thënë se së bashku me bashkëshorten, të dy mësimdhënës, jetojnë dhe punojnë në një nga pjesët më të privuara të Birminghamit. E në pamundësi për t'i përballuar kostot për blerjen e një shtëpie, ata planifikojnë të largohen nga Mbretëria e Bashkuar drejt të Polonisë.
Familja Cakaj fillimisht ishte vendosur në Londër me shpresën që t'i mblidhte paratë për blerjen e një shtëpie.
“Na është dashur të heqim dorë nga kjo ëndërr, sepse sinqerisht, me rritjen e kostos së jetesës, ideja për të kursyer është shkatërruar. Nuk do të na mjaftojnë (paratë v.j.) kurrë. Jemi humbës të përhershëm në këtë sistem, edhe pse të dy jemi mësimdhënës”, është shprehur Cakaj.
Ai ka bërë thirrje që tregu të jetë më i balancuar, ku një banesë me qira të kushtojë më pak se 30 për qind e të ardhurave mujore për një familje. Cakaj tha se ka ndjenja të përziera për Britaninë e Madhe.
“Kam shumë ndjenja të mira dhe mirënjohëse për një vend kaq mikpritës. Nga ana tjetër, nuk asnjë dilemë se ku të qëndroj. S'ka të bëjë kjo me të ardhmen time, por me fëmijët e tij. S'është vendim i lehtë pas një investimi 26-vjeçar të jetës këtu. Punoj në thellësi dhe nuk shoh t'i kushtohet vëmendje profesionit të mësuesit apo arsimit. Mësuesit po largohen nga profesioni”, ka shtuar Cakaj.
Partitë politikë në Britaninë e Madhe kanë përcaktuar një numër politikash në lidhje me strehimin e të huajve.
Partia Laburiste ka premtuar se do të ndërtojë 1.5 milionë shtëpi të reja në Angli në 5 vitet e ardhshme. Ata kanë thënë se heqja e rregullave për planifikim do të ndihmojë në lehtësimin e strehimit, derisa është paralajmëruar se do të ndalohet lufta e ofertave për qiradhënien.
Ndërtimi i shtëpive për të huajt, sipas politikanëve britanikë, do të ndihmonte në luftimin e dukurisë së mospasjes së strehimit.
