Arbëri

Hodaj: Kosova të fokusohet në kërkesën që juridiksioni i Speciales të jetë mbi të gjitha krimet

Taulant Hodaj, avokat i akredituar nga Dhomat e Specializuara, ka thënë se dënimi ndaj Pjetër Shalës prej 18 vjetësh nga Specialja “është i lartë në rastet kur shpallet fajtor krahasuar me Tribunalin ndërkombëtar në ish-Jugosllavi ku dënimet kanë qenë më të ulëta”. 

Ai ka sqaruar se direkt rasti i Shalës nuk do të ndikojë në rastin ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve. 

“Parimisht nuk lidhen drejtpërdrejt, por indirekt nuk mund ta përjashtosh nëse e shohim për çka po akuzohen janë për përgjegjësitë komanduese dhe nëse e gjejnë lidhjen mes shtabit dhe qendrës ku ka ndërvepruar Shala, nuk përjashtohet kjo”, ka thënë ai në emisionin “60 Minuta”. 

Hodaj ka theksuar se Kosova duhet të fokusohet te kërkesa që Gjykata Speciale t’i gjykojë të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës. 

“Kur është miratuar është miratuar një gjykatë që i gjykon krimet që i kanë kryer pjesëtarët e UÇK-së. Juridiksionin primar gjykata i ka për t’i gjykuar ato. Nuk e ka të ndaluar  të merret edhe me krimet që janë kryer nga serbët ndaj shqiptarëve por nuk e ka prioritet, nuk e konsiderojnë pjesë të juridiksionit. Do duhej të ishte fokus i kërkesave të Kosovës, ndryshimi i Gjykatës Speciale. Është kërkesë legjitime të kërkohet që juridiksioni i Speciales të jetë mbi të gjitha krimet që janë kryer në Kosovë”, ka shtuar ai. 

Hodaj konsideron se nuk është mirë për Kosovën që Dhomat e Specializuara të dalin me mesazh ku përmendet frikësimi i dëshmitarëve. 

“Ajo që shohim pas çdo aktgjykimi trupi gjykues dërgon edhe mesazhe. Sot ka qenë një i tillë, nuk është mirë për Kosovën. Këto mesazhe të gjykatës nuk janë mirë sepse konsiderohet që në Kosovë ekziston një frymë e kërcënimit ndaj dëshmitarëve”, ka përfunduar ai.