Që nga paslufta, Policia e Kosovës vazhdon të jetë në shënjestër, në veriun e banuar me serbë. Objekteve në pikat kufitare u ishin vënë flakët të nesërmen e shpalljes së pavarësisë, ndërkaq vite më vonë në përpjekjen për t’i çuar doganierët në këto pika është vrarë polici Enver Zymberi, pas një sulmi të armatosur mbi policinë. Sulmeve nuk u kanë shpëtuar as aksionet policore kundër kontrabandës.
Policët e Kosovës nuk janë përballur për të parën herë të premten me granata e plumba në veriun e vendit. Histori të tilla i kanë shoqëruar, prej kur nis historia e shtetësisë.
Ditën kur Kosova e shpalli pavarësinë, Fatmir Sejdiu si president i shtetit më të ri pati një thirrje për serbët.
“Thirrja jonë është që të kthehen në jetën normale, që të jenë pjesëtarë aktivë në proceset e rëndësishme të jetës së përditshme”, ishte apeli i Sejdiut.
Aktivë u treguan, por në një formë tjetër.
Në 24-orëshin e parë të shtetësisë iu vunë flakët objekteve të vendosura në dy pika kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak.
Në Prishtinë prezantohej një realitet tjetër.
“Mund t’ju konfirmoj se çdo cep i territorit të Kosovës është i garantuar, është i mbrojtur, është i kontrolluar”, pati thënë kryeministri i asaj kohe, Hashim Thaçi.
Kosova priti më shumë se tre vjet pas pavarësisë, derisa mori një vendim. Në korrikun e 2011-s, Qeveria Thaçi autorizoi njësitet elite të policisë për të shkuar në të dyja pikat, ku kërkohej të vendoseshin doganierët e t’u ofrohej siguri atyre.
Plani ishte dekonspiruar. Rruga për në Bërnjak ishte bllokuar e në një nga sulmet e armatosura gjatë kësaj rruge ishte plagosur për vdekje polici elit, Enver Zymberi.
Edhe pas këtij zhvillimi, pikëkalimit në Jarinjë i ishin vënë flakët.
Situata rriti trysninë ndërkombëtare për dialog. Disa marrëveshje janë mbërritur në Bruksel, përfshirë atë për menaxhim të integruar të kufirit.
Ministri i Brendshëm i asaj kohe pati një lutje, pasi nisi zbatimi.
“Hajde për hajr. Ishalla ju shkon mirë”, kishte thënë Bajram Rexhepi, derisa kishte bërë vizitë në një nga pikëkalimet.
Tensionet kishin pushuar në intensitet. Ndërkohë, barrierat e vendosura prej vitesh rrugëve të veriut ishin hequr nga KFOR-i.
Por, përkundër që në Bruksel dialogu vazhdoi, shumë nga marrëveshjet nuk gjenin zbatim. As problemet në veri nuk pushuan.
Vitin e kaluar, për 13 ditë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë e Bërnjak, nuk u lejua qarkullimi e njësite të Policisë qëndruan aty ditë e natë për shkak të tensioneve të grupeve serbe. Kjo situatë u krijua, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e përdorimit të targave.
“Targat e përkohshme nuk janë dëshirë e jona, por imponim nga pala tjetër”, pati thënë kryeministri Kurti, kur maa u vendos.
E, kur një marrëveshje me Serbinë u mbërri, në dy komunat me shumicë serbe pati tentim të zjarrvënies në objekte. Në Veçan dështoi bomba e hedhur në objektin e komunës, e në Zubin-Potok u bë shkrumb qendra e MPB-së dhe një pjesë e bibliotekës.
Me sulme u pritën edhe aksionet kundër kontrabandës që policia i realizoi në veri.
Në tetor të 2021-tës, për shkak të një aksioni, në drejtim të Policisë u hodh eksploziv, mjete shpërthyese e gurë, derisa të lënduar mbetën disa persona, përfshirë 10 zyrtarë policorë.
Alarmi i emergjencës në veri ndizet nga veriorët sa herë që Policia e Kosovës ndërmerr ndonjë aksion atje. Kështu ndodhi edhe tre vjet më parë kur dhjetëra serbë iu përgjigjen thirrjes për të vendosur barrikada në këtë pjesë, në tentim për ta ndalur një aksion tjetër të Policisë së Kosovës për arrestimin e disa zyrtarëve të dyshuar për përfshirje në kontrabandë me mallra. Policët u sulmuan edhe me armë, ku tre prej tyre mbetën të plagosur. Serbia dramatizoi me situatën duke kërcënuar edhe me intervenim ushtarak, nëse nuk tërhiqeshin njësitë speciale.
Veriu i Kosovës ishte vatër e nxehtë edhe para shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Vdekja e dy fëmijëve në lumin Ibër prodhoi trazira zinxhirë në shumë komuna gjatë marsit të vitit 2004. Në to u vranë 19 persona, prej tyre 12 shqiptarë.