Ambasadori amerikan Christopher Hill, nuk është pajtuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e dakorduar një vit më parë. Hill, në një deklarim për medie në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Beograd, ka thënë se procesi është shumë më kompleks se që po paraqitet
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, nuk ka pranuar se Serbia ka shkelur marrëveshjen e dakorduar një vit më parë.
I pyetur gjatë Konferencës së Sigurisë në Beograd, të martën, për qëndrimin e tij në lidhje me shkeljet nga ana e Serbisë, Hill tha se procesi është shumë më kompleks se sa që është duke u paraqitur.
“Nuk jam i sigurt nëse do të pajtohesha me karakterizimin tënd të çështjes. Mendoj që është shumë më komplekse dhe çfarë unë di është se duhet të lëvizim drejt normalizimit dhe propozimeve të ndryshme që z. Lajçak ka ekspozuar dhe mendoj që ato duhet të ndiqen. Nuk mund të pajtohem me karakterizimin që vendosët para. Nuk do të pajtohem me formulimin tuaj të situatës. Mendoj që duhet të kuptosh se ky është një proces kompleks që përfshin detyrime për të dyja palët që duhet sekuencuar”, ka thënë Hill.
Ambasadori amerikan ka shtuar se mbështetja e SHBA-së për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja do të vazhdojë, teksa theksoi se ka ende shumë punë deri në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.
“Mendoj që të gjithë janë në favor të përkrahjes për dialogun e Bashkimit Evropian dhe është shumë e rëndësishme që të ecet me këto procese përpara dhe të krijohen kushtet për normalizimin e marrëdhënieve, por qartazi që ka shumë punë që duhet bërë, por është diçka që do të arrijë këtë administratë dhe administratën tjetër se nuk do të kryhet menjëherë. Kështu që ka nevojë të bëhet shumë punë në mënyrë që të arrihet deri te faza e marrëdhënieve të normalizuara mes Serbisë dhe Kosovës”, është shprehur ai.
Hill ka kërkuar që të ecet para me zbatimin e marrëveshjes së dakorduar, pasi siç tha, tashmë janë humbur disa momentume.
Kosova dhe Serbia, në shkurt të vitit të kaluar në Bruksel e më pas edhe në mars në Ohër, janë marrë vesh për marrëveshjen drejt rrugës së normalizimit të marrëdhënieve.
Derisa Serbia insiston në zbatimin e vetëm një pike të kësaj marrëveshjeje, asaj për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, Kosova kërkon nënshkrimin dhe zbatimin e plotë të saj.