Me rastin e 35-vjetorit të rënies së heronjve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, Qeveria e Kosovës, krerë të shtetit e familjarë të dy dëshmorëve vlerësuan lart veprat dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha se Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu ishin veprimtarë të shquar politikë të viteve 80-ta, të cilët i bashkoi ideali për lirinë e atdheut.
35 vjet u bënë të shtunën që nga rënia e heronjve Afrim Zhita dhe Fahri Fazliu.
E në nderim të tyre familjarë, shokë, bashkëluftëtarë, e drejtues të institucioneve e ata të partive politike bënë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prishtinë.
Afrimi e Fahriu ranë për të ndërtuar këtë shtet tha nëna e Afrimit, Qamile Zhitia.
“Është shteti jonë, për qata janë ra, për qata janë shku, me bo shtetin tonë, me bo Kosovën Republikë qysh u bo”, ka thënë ajo.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca, theksuan se heronjtë duhet të kujtohen përherë.
“Saktësisht para 35 vjetëve, mbi 6 orë kanë zgjatur luftimet në lagjen ‘Bregu i Diellit’ tek hyrja e tretë e bllokut të tretë ku luftuan, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, deri sa ranë heroikisht për çlirimin e Kosovës dhe për dëbimin e forcave okupatore e armike serbe nga atdheu ynë. Afrimi edhe Fahriu ishin udhëheqës të Lëvizjes Popullore asokohe dhe pikërisht me ta udhëheqja e organizatës dhe udhëheqja e aktiviteteve bëhej nga brenda Kosovës e jo më prej jashtë sikurse deri atëherë”, u shpreh Kurti.
“Liria e Kosovës erdhi sepse kishte çlirimtarë si Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, porosia e tyre ishte e qartë ‘më mirë të vdiset me armë në dorë kundër Serbisë, kundër okupatorit se sa të jetojmë në robëri’. Ata jo vetëm që ishin luftëtar e çlirimtar por ishin edhe intelektual të mëdhenjtë, veprat e tyre shkrimet e tyre mendimi i tyre politik na frymëzon sot e kësaj dite”, ka deklaruar Konjufca.
E në një akademi përkujtimore, e cila ishte organizuar nga ekzekutivi, krerë të shtetit e familjarë të dy dëshmorëve vlerësuan lart veprat dhe sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.
“Na vjen mirë të shohim që kujtimet dhe rrëfimet për Afrimin dhe Fahriun nuk janë vetëm kujtime dhe rrëfime mes familjarëve dhe shokëve por janë edhe ngjarje të shënuara nga vet shteti i Kosovës”, ka thënë Fahri Fazliu, nipi i heroit.
“Kur ishim të robëruar, gjatë rrugëtimeve të gjata e plotë mundime në vizitat që i bënim burgjeve të Serbisë dhe ish-Jogusllavisë ku ishin shumë djem e vajza të Kosovë, babushi jonë i dashur thoshte: kur të rriten e shkollohen vajzat e djemtë e këtyre heronjve që ia kanë kthyer gjoksin Serbisë, do të bëhet Shqipëria”, ka shtuar Sadete Zhitia, motra e Afrim Zhitisë.
Historiani Durim Abdullahu ndau historinë e fotografisë së Fahri Fazliut dhe theksoi se veprat, aksionet, organizimet dhe ngjarjet e dokumentuara nga familjarët dhe shokët e heronjve janë burime të çmuara për historinë politike të Kosovës.
Më 2 nëntor 1989, Afrimi dhe Fahriu u rrethuan në lagjen “Bregu i Diellit” nga forcat serbe dhe ranë heroikisht pas disa orësh luftime.