Prishtinë

Hekurudha pa vendkalime adekuate rrezikon qytetarët

hekurudha

Janë të destinuara për kalimin e trenit mbi to, mirëpo shinat në Arbëri po i përdorin më shumë qytetarët për të kaluar, sesa vetë treni që vjen nga Peja në Prishtinë.

Mungesa e një mbikalimi ose nënkalimi ka bërë që qytetarët të cilët e frekuentojnë këtë pjesë, përveç që rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë duke kaluar mbi këto shina, ata probleme po kanë edhe në ngjitjen e mureve të betonit për të kaluar.

Shqetësimin për rrezikshmëri e potencon edhe një qytetar, i cili kalon shumë herë këtu, pasi jeton në Arbëri.

Ai thotë që komuna do të duhej të ndërtonte një mbikalim dhe të mos presë kohën kur një qytetar të pësojë ndonjë fatalitet.

Nevojën për një mbikalim e thekson edhe eksperti i komunikacionit Bekim Ahmeti.

“Në mungesë të një mbikalimi ose nënkalimi dhe të paplanifikuar më herët paraqitet problematika e kalimit të rrugës në një mënyrë jo normale. E edhe më keq kur në këtë hapësirë është prezentë edhe treni i cili nuk është shumë i rrallë. Prapa nesh mungon një mbikalim cilësorë mirëpo edhe përkundër kësaj këtu prap po kalohet në mënyrë jo të mirë. Kurse atje janë krijuar edhe muret e betonit për ndërtimin e një rruge paralele me rrugën ‘Tirana’ dhe si rezultat i kësaj është mbyllur total ajo pjesë”.

Kurse drejtori për Investime Kapitale, Krenar Xhaferi, thotë se me fillimin e ndërtimit të rrugës njëkahore kanë planifikuar edhe tri mbikalime, ku e para do të bëhet brenda një muaji e gjysmë.

“Ne kemi planifikuar ndërtimin e një mbikalimi këtu ku jemi ne, e kemi marrë edhe lejen te hekurudha dhe po ashtu kemi bërë edhe matjen gjeodezike. Nga nesër do të filloj edhe ndërtimi i këtij mbikalimi, i cili do të mundëson kalimin e qytetarëve, ai do të jetë mbi gjashtë metra i gjatë me hekurudhën dhe kjo do të mundësojë që qytetarët të kalojnë pa problem këtë segment. Gjatë kësaj faze shumë njerëz kanë thënë pse nuk i ke bërë një palë shkallë të hekurit për kalim, mirëpo ajo e ka edhe rrezikun e vet në kalimin e trenit”.

Xhaferi deklaron se me përfundimin e këtyre mbikalimeve do të zgjidhet ky problem, edhe pse ende nuk kanë marrë leje nga Infrakosi për dy mbikalimet e tjera.

“Në të njëjtën kohë planifikojmë që edhe dy mbikalime të tjera t’i ndërtojmë në këtë kohë. Në mënyrë që ta përmbyllim këtë pjesën e mbikalimeve të hekurudha apo unaza në Prishtinë. Për dy mbikalimet e tjera të cilat i kemi planifikuar duhet të merret leja nga ‘Infrakosi’, nëse i marrim lejet do të vazhdojmë pa problem në ndërtimin e këtyre mbikalimeve”.

Kurse nga Infrakosi në një përgjigje me shkrim për KOHËN, kanë thanë se për planet e tyre komuna duhet të konsultohet edhe me ta për shkak se Infrakosi i cakton kushtet teknike dhe e bënë vlerësimin.

“Ne nuk jemi përgjegjës për nënkalime apo mbikalime, komuna nëse ka ndonjë plan për të hapur ndonjë mbikalim apo nënkalim, që e kryqëzon hekurudhën për nevoja të qytetarëve, paraprakisht duhet ta bëjë një kërkesë në Drejtorinë e Infrastrukturës së Hekurudhave të Kosovës për t’i dhënë pëlqimin për kryqëzimin e hekurudhës qoftë mbikalim apo nënkalim, ndërsa Infrakos Sh.A. e cakton komisionin profesional për shqyrtimin e kërkesës dhe del në vendin e ngjarjes dhe i cakton kushtet teknike sipas terrenit dhe mbi bazën e kushteve teknike investitori e bën kryqëzimin e hekurudhës qoftë nënkalim apo mbikalim”.

Javën e kaluar në segmentin hekurudhor në mes të stacionit Prishtinë - Fushë Kosovë, është goditur një grua nga treni me ç‘rast e njëjta është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.

Sipas Infrakosit, pas goditjes ajo është futur nën tren. Fillimisht vlerësohet se si shkaktar i aksidentit ka qenë personi i cili u gjend para trenit në momentin kritik në rastin e kalimit të trenit.