Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se Kosovës mund të mos i vjen më mundësia për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se anëtarësimi nuk është proces i lehtë dhe i thjeshtë.
“Na janë dashur vjet për të ardhur te data e re. Për anëtarësim në Këshill mund të na vijë për 1 vit, për 6 ose asnjëherë”, ka deklaruar Haziri.
Zyrtari i partisë në opozitë ka thënë se miqësia me aleatët mundëson suksesin, duke përmendur njohjen e Izraelit në kohën kur kryeministër ishte Avdullah Hoti.
“Në tavolinë në një dokument para presidentit amerikan thuhej se ‘palët të pajtohen për 1 vit që të mos ketë ofensivë për çnjohje’. Ai (presidenti Donald Trump) merr telefonin dhe thirr kryeministrin e Izraelit e i thotë ‘duhet të pranoni Kosovën se është vend i mirë e ta kërkoj këtë nder’. Ka pasur shumë zhvillime në këtë koordinim”, ka thënë Haziri.
Haziri: Drafti mund të dërgohet në Kushtetuese vetëm si dokument i Qeverisë
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se drafti i propozuar nga ndërmjetësit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, do të mund të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese vetëm si një vendim i qeverisë.
Haziri në “Konfront” të KTV-së ka thënë se ka pasur përpjekje që të dërgohet në Kushtetuese drafti nëpërmjte kanaleve të ndryshme.
“Kjo situatë ka 6 muaj që është bërë pingpong në Kosovë. Është munduar me dërgu në Kushtetuese si letër, si non-paper që po i thonë, po s’ka lidhje me të. Është munduar t’i jepet presidentes që ta dërgojë, është munduar të gjenden kanale tjera. Por, nuk shkon në Kushtetuese pa vendim të qeverisë. Draft-dokumenti hyn me vendim të qeverisë e bëhet i Kosovës. Ai dokument e ka sponsor kryeministrin e më pas ai e merr e dërgon në Kushtetuese, apo e dërgon presidentja apo kryetari i Kuvendit”, ka thënë Haziri. “Duhet marrë vendim i qeverisë”.
Gjinovci: Kosova nuk guxon të bëjë as edhe një hap para, do të ishte tradhti kombëtare
Panelisti i “Konfrontit”, Rron Gjinovci, ka deklaruar se pala nuk duhet të bëjë asnjë hap para në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi kjo sipas tij është tradhti kombëtare.
Gjinovci ka thënë të enjten se Kurti e ka pranuar draft-statutin e Asociacionit si dokument, por jo për ta implementuar.
“T’ia kërkosh Kosovës ta bëjë Asociacionin për një vend në Këshill të Evropës duhet të presupozosh se njerëzit këtu shumica brenda Kosovës hanë bari, janë hajna, të korruptuar, pa dinjitet e provoncialë që mund të bësh hajgare me ta...Kryeministri i Kosovës s’duhet të bëjë asnjë hap tutje në këtë drejtim sepse është tradhti kombëtare. S’duhet kryeministri të zbatojë një marrëveshje që Serbia thotë nuk e zbatojë”, ka thënë Gjinovci.
Sipas tij, drafti i Asociacionit nuk duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim.
Demaku: Besoj që Kurti do të bëjë lëvizje në momentet e fundit
Panelistja e “Konfrontit”, Dafina Demaku, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti do të tërhiqet në momentet e fundit dhe mund ta dërgojë draftin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.
Ajo ka thënë të enjten se aktualisht po përmenden hapa të prekshëm për Asociacionin.
“Ajo që e tha Kurti që praktikisht s’e dërgon draftin në Kushtetuese, a do të ketë lëvizje s’e di, por besoj se mund të ketë në momentet e fundit, e me togfjalëshin si ‘Neni 7’, që s’kanë të tregojnë se fjala është për Asociacionin”, ka shtuar Demaku.
Haziri: Kurti ka lëshuar pe në 8 çështje që i ka refuzuar, mund të ndodhë edhe me Asociacionin
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti ka lëshuar pe në 8 çështje, e që sipas tij, në fillim ai kishte ngulur këmbë.
Haziri ka deklaruar të enjten në “Konfront” të KTV-së se qëndrimi i Kurtit në raport me aleatët është i papranueshëm, duke theksuar se “ka humbur besimin në qëndrimin politik”.
“8 vendime në 8 situata të ndryshme lidhur me dialogun me Serbinë. Kurti ka kundërshtuar shumë, ka rezistuar e pastaj e ka pranuar të bisedohet me të e në fund ka pranuar. Ka blerë kohën e tij, por në fund e ka pranuar. Nuk i beson askush sot në Prishtinë pasi duke analizuar veprimin, e jo deklaratën, Kurti e ka qëndrimin çfarë e ka. Thotë se nuk e pranoj kushtëzimin që është bërë në procesin e anëtarësimit në Këshill të Evropës”, ka shtuar ai.