Kuvendi

Haxhiu: Për ta luftuar krimin e korrupsionin duhet të punojnë edhe institucionet e drejtësisë

Albulena Haxhiu

Foto: Driton Paçarada

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se si qeveri janë duke bërë mjaftueshëm për ta luftuar krimin e korrupsionin, por siç ka thënë ajo, kjo nuk mjafton.

Haxhiu ka deklaruar se duhet të punojnë edhe institucionet e drejtësisë në këtë drejtim.

“Askush nuk mund te theksojë që nuk ka përkushtim maksimal të Kosovës për ta luftuar krimin e korrupsionin. Kosova ka ende probleme me këto çështje sepse nuk mjafton vetëm puna e Qeverisë, por duhet edhe ajo e institucioneve të drejtësisë. Janë më shume se 200 lëndë që Qeveria i ka dorëzuar në Polici dhe Prokurori dhe për asnjërën prej këtyre rasteve nuk ka aktakuzë ndaj personave që ne i kemi kallëzuar. Madje rasti flagrant ka qenë që një ministër i Drejtësisë në Qeverinë Hoti ia kishte dhënë pronën e shtetit një personi fizik. Në vend që të ketë aktakuza ka pasur amnisti të këtyre personave. Nuk ka pasur njeri në Kosovë që nuk ka thënë që qeveritë e kaluara ka qenë të korruptuara, ju ka shkruar në ballë, e sot ju tentoni të na jepni leksione. Jeni opozitë pa kauzë, opozitë pa plan, fatkeqësisht për ne”, ka thënë Haxhiu në seancën e Kuvendit.

Ministrja është shprehur e gatshme për zgjedhje.

“Kur të doni shkojmë në zgjedhje. Janë tri mënyra deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme. Rrëzimi i Qeverisë nuk mund të bëhet, dorëheqja nuk ka arsye, ka mbetur e treta, shpërndarja e Kuvendit. Shpërndajeni Kuvendin, shkojmë në zgjedhje e matemi por aty do të dëshpëroheni edhe më tepër se më 2021-n”, ka shtuar ajo.


Përplasje në Kuvend

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, u tregua e ashpër me deputetin e LVV-së, Salih Zyba dhe atë të PDK-së, Ferat Shala.

Shala ia ndërpreu fjalimin në foltore Mimoza Kusari-Lilës dhe pastaj u desh ndërhyrja e deputetëve të tjerë për ta qetësuar situatën.

“Pe thirri sigurimin”, dëgjohet të thotë Bogujevci.


Murati për raportin e DASH-it: Më 2019 fjala ‘korrupsion’ u përmend 24 herë, më 2023 12 herë

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për vitin 2023 fjala ‘korrupsion’ përmendet 12 herë, ndërsa në vitin 2019 është përmendur 24 herë.

Teksa po diskutohet në Kuvend për këtë raport, Murati ka thënë se edhe raportuesi i DASH-it ka rënë pre e dezinformatave të mediave dhe OJQ-ve.  

“Tema që është thirrur sot është diskutimi për raportin e DASH-it. Nëse do të duhej t’i qaseshim kësaj çështjeje në mënyrë kuantitative dhe objektive, mund ta shohim sa herë është përmendur më 2023 fjala ‘korrupsion’. Një kërkim i thjeshtë tregon që është përmendur 12 herë. Më 2019 është përmendur 24 herë. Nëse hymë edhe në cilësi pastaj e i analizojmë fjalitë e shohim që në disa raste edhe raportuesi ka rënë pre e dezinformatave të mediave e OJQ-ve që maskohen si të tilla… deputetja Deliu-Kodra tha se pesë ministra janë nën hetime për korrupsion. Në mesin e tyre është përmendur edhe emri im. Asnjëherë nuk kam qenë i hetuar për korrupsion, hetimet ndaj meje kanë qenë për një kallëzim penal të dorëzuar nga PDK-ja. Pas një viti hetimesh është mbyllur dosja dhe ka thënë se nuk ka asnjë dyshim për shkelje të ligjit. Është ndaluar hajnia, tash kemi shtesa për fëmijë. Është ndalur hajnia, tash kemi shtesa për lehona. Është ndalur hajnia, është rritur buxheti për ushtri. Është ndalur hajnia, ka pasur bursa për gra. Është krijuar Super Puna e shumë e shumë masa të tjera. U përmend komentimi ndaj punëve të gjyqësorit e prokurorisë. Patjetër që duhet t’i komentojmë. Sepse nëse kemi rast që dërgojmë rast me mbi 40 milionë euro e Prokuroria e mbyll rastin se është ndal keqpërdorimi nga ministria, thonë s’ka vepër penale. Këtë 12-herëshin e fjalës korrupsion do ta vendosim në zero”, ka thënë Murati.

Por shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se ministri Murati po mundohet ta minimizojë raportin e DASH-it.

“Ministri sapo e bëri ata që e ka bërë vazhdimisht Qeveria, ta sulmojë Prokurorinë e gjyqësinë. Mundohet me minimizu raportin e DASH-it. Tash deri në atë pikë ku e quan të pasaktë. Ky del e mbron një ministre qe na ka vjedhur edhe në grurë edhe në vaj. Pesë ministra të kësaj qeverie janë nën hetim ky është lajm ndërkombëtar. Këtu java javën nuk ta nxen nga aferat. Mimoze jeni mazhoranca e parë që keni nisur me mbylljen e televizioneve”, ka thënë Tahiri.


Kusari-Lila: Raporti i DASH-it ka lëshime dhe pasaktësi

Kryetarja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të Drejtat e Njeriut, i publikuar ditë më parë, ka lëshime dhe pasaktësi. 

Ajo i është përgjigjur deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, pasi ky tha në seancën ku po diskutohet mbi raportin se një e treta e ministrave janë nën hetime për korrupsion e se kjo situatë kërkon zgjedhje të menjëhershme. 

“Bazuar në numrin e madh të kallëzimeve penale nuk flitet për ngritje të aktakuzave sepse nuk ka të tilla. Sa i përket dy dënimeve me emër që janë për ministren dhe zv kemi të bëjmë me fjalën vonim të deklarimit të pasurisë. Raporti i DASH-it nuk e bën ndarjen cilësore të akterëve për të cilët AGK tregon që kanë sulmuar gazetarët. Një element shqetësues mbetet siguria e grave dhe parandalimi i vrasjeve. Raportet në vazhdimësi i referohen dënimeve të ulëta apo dështimeve të gjyqësorit. Për këtë arsye vettingu duhet të jetë prioritet. Fatkeqësisht raporti ka lëshime dhe pasaktësi. Pasaktësi ka te numri i grave në pozita udhëheqëse”, ka thënë ajo. 

Kryeministri Albin Kurti pati shprehur çudi me gjetjet e raportit të DASH-it, për të cilin pati theksuar se DASH-i nuk ka cituar disa organizata të cilat tregojnë progresin e Kosovës. 


Tahiri: Kjo Qeveri e ka luftuar luftën kundër korrupsionit

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se në katër vjet të mandatit qeverisës, Qeveria Kurti, goditjen e fundit e ka marrë në vitin e fundit.

Tahiri ka thënë se raporti i DASH-it thotë që kjo qeveri ka problem serioz me korrupsionin.

“Ajo që mund të them është se madhësia e një dështimi nuk mund të shihet nga ata që janë pjesë e saj. Madhësia e dështimit e ka emrin autoritarizëm. Problemi bëhet edhe më i madh për shkak se kjo qeveri në vend se të marrë masa për ta luftuar korrupsionin ajo në fakt e ka luftuar luftën kundër korrupsionit me dy elemente: e para si ka mundësi që kjo qeveri nuk është gjendje ta sjellë strategjinë antikorrupsion. E dyta: reagimi i qeverise e cila në të gjitha rastet për dyshime për korrupsion ka dalë në mbrojtje”, ka thënë ai.

Sipas tij, një gjetje tjetër lidhet me pavarësinë e gjyqësorit.

“Ka pasur një qëndrim dhe një dinamikë në Ministri të Drejtësisë sikur që ka pasur një qëndrim të paparë e të padëgjuar në demokraci, ku kryeministri thotë se kryeprokurori nuk do të zgjidhet sa të jem unë kryeministër, presidentja dhe kryeparlamentari. Gjeta e tretë ndërlidhet me shqetësimet që kanë të bëjnë me lirinë e shkrehjes dhe mediat. Presioni mbi institucionet që rregullojnë fjalën e lirë”, ka thënë ai.


Tahiri kritikon Kurtin pasi ai u largua nga seanca: Zgjedhje sa më parë

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mosprezencën në seancën për shqyrtimin e projektrezolutës për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. 

Tahiri ka thënë se pas raportit të DASH-it, Kuvendi duhet ta caktojë sa më shpejt datën e shpërndarjes për të shkuar në zgjedhje. 

“Në këtë seancë do të duhej ta kishim kryeministrin… Javën që shkoi, DASH-i publikoi raportin për Kosovën ku përfshihet që të drejtat e njeriut përveç që s’kanë shënuar progres kanë shënuar edhe regres. Një e treta e ministrave të kësaj qeverie janë nën hetime për korrupsion. E gjithë kjo situatë që është krijuar nga kjo qeverisje e dobët e me nivel të lartë të korrupsionit, na detyron që të kërkojmë që ky kuvend të mblidhet sa më parë ta caktojë datën e shpërndarjes dhe tu jepet mundësi zgjedhjeve”, ka thënë ai. 

Sipas Tahirit, asnjëherë nuk ka pasur në Kuvendin e Kosovës më shumë kërkesa për komisione hetimore.

Zemaj – Qeverisë: Me vulën e SHBA-së, jeni hajna të certifikuar 

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria nuk po e lufton korrupsionin, por ata që po e luftojnë atë. Ka theksuar se raporti i DASH-it dëshmoi paaftësinë e Qeverisë. 

“Raporti rrënoi një propagandë të shumicës se e kemi luftuar korrupsionin. Në fakt ju po luftoni ata që po luftojnë korrupsionin. Tani me vulën e SHBA-së jeni hajna të certifikuar... Raporti tregon 4 gjetje kryesore. Korrupsion serioz qeveritar, probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit, kufizime serioze me lirinë e shprehjes, hapa jokonsistent për t’i hetuar, ndjekur dhe ndëshkuar zyrtarët që mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut. Raporti në fjalë i dha vulë edhe paaftësisë së qeverisë për ta luftuar korrupsionin”, ka thënë Zemaj. 


Kuvendi sot shqyrton rezolutën për raportin e DASH-it

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë plenare në të cilën pritet që të shqyrtojë projektrezolutën për adresimin e gjetjeve të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH).

Kjo pikë është propozuar nga partitë opozitare. 

Gjithashtu në rend ditë është edhe votimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare, miratimi i të cilave, në disa seanca është pamundësuar për shkak të mungesës së kuorumit. 

Në rend dite në seancë e cila pritet të nisë në orën 11:00 janë gjithsej 22 pika. 

Para kësaj seance, në orën 10:00 Kuvendi do të mbajë edhe një seancë solemne në nderim të rënies së komandantit të UÇK-së, Ilaz Kodra dhe 315 dëshmoreve e martirëve, të rënë më 30 prill 1999 në Drenicë.

Rendi i ditës i seancës plenare