Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka mohuar kategorikisht raportin e publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), sa i përket performancës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës në raport me Ministrinë e Drejtësisë.
Pretendimet në këtë raport, sipas Haxhiut, nuk qëndrojnë dhe se për këtë kanë pasur përpjekje për bashkëpunim dhe angazhim me KPK-në e KGJK-në dhe me shoqërinë civile. Sipas saj, IKD-ja nuk është e informuar.
“Mendoj që nuk qëndrojnë, është e vërtetë që për disa reformë ne kemi pasur mungesë të bashkëpunimit, për faktin se ju e dini tashmë ka qëndrime publike. Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial nuk i kanë mbështetur amendamentet kushtetuese për vettingun, megjithatë ato janë në Kuvendin e Kosovës dhe për faktin që ata nuk kanë pasur mbështetje për këto procese natyrisht se pastaj ka pasur edhe deklarata publike për të njëjtat. Duket që nuk i kanë informacionet e duhura, por ne kemi pasur përpjekje maksimale që të angazhohemi, që të kemi bashkëpunim edhe me shoqërinë civile madje Ministria e Drejtësisë gjatë gjithë kësaj kohe ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me organizatat e shoqërisë civile, por po ashtu edhe me gjithë partnerët tjerë”, ka thënë ajo.
Sa i përket reformës në drejtësi që ka të bëjë me Këshillin Prokurorial, Haxhiu deklaroi se nuk mund të veprojnë në bazë të tekeve të personave të caktuar, teksa shtoi se zotimet e bëra në kohë fushatash ndaj qytetarëve do t’i përfundojnë.
Ndryshe, IKD-ja në një konferencë për media të hënën ka prezantuar raportin me vlerësimin e performancës së anëtarëve të Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, ku u tha se nuk mund të bëhet nga Komisioni për Vlerësimin e Performancës.
Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, ka thënë se Ministria e Drejtësisë, fatkeqësisht nuk po vepron.