Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se pengesat vijnë nga kërkesat dhe veprimet e tyre në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Në një deklaratë për media, Haxhiu ka thënë se Rregullorja nuk lejon debat gjatë seancës konstituive, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë diskutime mes partive politike brenda saj, duke iu përgjigjur LDK-së e cila pretendon se ftesa e kryesuesit Avni Dehari për konsultë gjatë seancë konstituive është jashtë procedurave.
“Ne e kemi përshëndetur ftesën e kryesuesit të seancës. AAK-ja tha se le të vazhdojmë aty ku kemi mbetur, por kjo nuk është e mundur pa e miratuar më parë Raportin për Verifikimin e Mandateve të deputetëve”, ka thënë Haxhiu, e cila ishte pjesë e mbledhjes së thirrur nga Dehari për konsulta.
Sipas Haxhiut, befasia tjetër ishte qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkoi sërish dorëheqjen e ministrave në detyrë. Ajo sqaroi se dorëheqjet janë dhënë para mbajtjes së seancës konstituive të martën dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është njoftuar për këtë para certifikimit të rezultateve.
“Ka një tendencë të qartë për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit. Për këtë, përgjegjësia bie mbi partitë opozitare”, theksoi ministrja në detyrë.
VIDEO:
