Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se me mosveprime dhe neglizhencë nga institucionet e drejtësisë shteti vetë po i shndërron dhunuesit në vrasës.
Në konferencë për media të martën, pas takimit të institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë për shkak të rritjes së numri të vrasjeve të grave në Kosovë, Haxhiu u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që rastet e dhunës në familje t’i trajtojnë me prioritet.
“Institucionet e drejtësisë të veprojnë brenda kompetencave dhe mekanizmave që kanë në dispozicion, duke mos neglizhuar as edhe një rast të vetëm të dhunës në familje. Kur po kemi raste të neglizhencave, të mosveprimeve, shteti vetë po e shndërron dhunuesin në vrasës”, ka thënë ajo në konferencë.
Në takim ku të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha dhe përfaqësuesit e sistemit gjyqësor dhe prokurorial, Haxhiu ka bërë të ditur se janë kërkuar që për një sërë çështjesh të merren veprime urgjente.
“Të bëhet urgjent nënshkrimi i kontratës për mbikëqyrje elektronike të dhunuesve, të bëhet saktë vlerësimi i sigurisë për çdo rast të dhunës në familje, të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje dhe të analizohet se si po sigurohen këto armë, urgjentisht KPK-ja të hapë pozita për mbrojtësit e viktimave, të adresohet secili lëshim në lëshimin e procedurave të rregullta të dhunuesve, të lëshohet udhëzues detyrues nga Kryeprokurori për të gjithë prokurorët, kur ka dyshime për dhunë në familje të mos ketë vendime për lëshim në procedurë të rregullt, të avancohet politika ndëshkimore, nuk është dënuar askush maksimalisht për ‘dhunën në familje’ si dhe ngritjen e një institucioni që merret me rehabilitimin e personave me probleme narkotike”, ka thënë ministrja e Drejtësisë.
Haxhiu ka paralajmëruar se “femicidin” do ta bëjnë vepër të veçantë penale.
Dhuna në familja dhe femicidi, siç thotë Haxhiu, janë armiku i brendshëm me rrezik të madh për Kosovën.
“Është alarmante, por edhe brengosëse që individë të shumtë të shoqërisë tonë shohin dhunën si mjet të rëndomtë për tejkalimin e problemeve, që shpeshherë po përfundojnë në fatalitet, me vrasjen e grave. Me plot binde them se ky fenomen është armiku ynë i brendshëm me rrezik të madh. Këto sjellje barbare, këto akte monstruoze shkaktojnë jo vetëm jetën e viktimave, por edhe familjeve të tyre dhe shoqërinë në tërësi”, ka deklaruar ministrja.
Që prej vitit 1999, Haxhiu ka thënë se 99 gra janë vra nga burrat e tyre.
“99 varre të reja u hapen si vrasje që buruan nga dhuna në familje. Mbi 200 raportime regjistrohen çdo muaj në Polici nga dhuna e burrave ndaj grave”, ka thënë Haxhiu, e cila ka shtuar se duhet të shqiptohen dënime maksimale për dhunuesit.
Një problem tjetër të identifikuar nga Haxhiu është edhe gjuha e urrejtjes që përdoret në rrjetet sociale, të cilën ministrja e ka dënuar ashpër, ndërsa ka thënë se gjuha e tillë duhet të monitorohet.
Të martën në Pejë një grua u vra e i dyshuar është bashkëshorti i saj. Rasti ndodhi pesë ditë pasi një grua u vra në Qendrën për Punë Sociale në Ferizaj, nga ish-bashkëshorti i saj.