Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në cilësinë e koordinatores kombëtare kundër dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore, javën e kaluar u është drejtuar 38 kryetarëve të komunave të Kosovës, me kërkesën për zbatim të obligimeve që dalin nga Strategjia kundër dhunës.
Rreth 40 obligime janë nxjerrë për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje dhe ajo me bazë gjinore, ndërkaq Haxhiu ka nënvizuar ato ku me urgjencë duhet të veprohet.
“Me urgjencë duhet të veprohet në këto obligime: Të mbështeten për pavarësim financiar viktimat e dhunës në familje: 1. Duke mbuluar pagesën për qera, 2. Duke mbuluar shpenzimet mujore për të mbijetuarat”, ka shkruar Haxhiu në Facebook duke shtuar si obligim që duhet kryer edhe subvencionimin e pagesave për kopshte të fëmijëve të viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
- Përveç këtyre, ministrja ka përmendur edhe disa obligime të tjera si në vijim:
- Të pajisen me detektor të sigurisë të gjitha strehimoret dhe QPS-të nga komunat
- Të shtohen kapacitetet njerëzore dhe profesionale në QPS, bazuar në analizën që ka bërë Ministria e Drejtësisë në të gjitha Komunat
- Shtrirja e qasjes shumë-sektoriale të koordinuar të trajtimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave në mbarë Kosovën, përmes themelimit të Mekanizmave Koordinues në komunat ku mungojnë
- Informimi i viktimave/të mbijetuarave të dhunës në familje e dhunës ndaj grave, si dhe publikut në tërësi, mbi të drejtat e tyre dhe shërbimet ku mund të marrin ndihmë, përfshirë ndihmën juridike falas për personat e ekspozuar ndaj dhunës, në një gjuhë që ato/ata e kuptojnë;
- Mbështetja e strehimoreve me financim të vazhdueshëm;