Arbëri

Haxhiu kërkon seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për sigurinë e burgjeve

Bekim Haxhiu - PDK

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu ka kërkuar seancë të jashtëzakonshme në Kuvend për të diskutuar mbi sigurinë në burgjet e Kosovës.

Ai ka thënë se kjo është e domosdoshme pas deklarimit të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, që u shpreh se arratisjet e fundit nga burgjet e Kosovës, përfshirë edhe ajo e Faton Hajrizit, janë lehtësuar dhe organizuar nga Serbia.

“Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet të mbaj seancë të jashtëzakonshme për sigurinë në burgjet e Kosovës. Kjo është e domosdoshme pas deklaratës se ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiu, se Serbia ka hyrë në burgjet e Kosovës”, ka shkruar deputeti Haxhiu në Facebook.

Një ditë më parë, ministrja Haxhiu ka deklaruar se sipas informacioneve, arratisjet nga burgjet janë organizuar dhe nxitur nga grupe kriminale “të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë”.

“Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, ka thënë ministrja Haxhiu.

Gjatë së dielës, PDK-ja ka kërkuar dorëheqjen e ministres Haxhiu.