Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar angazhim më të madh të institucioneve në parandalimin e dhunës ndaj grave.
Në mbledhjen e Qeverisë, Haxhiu ka thënë se ministria do të angazhohet për masa shtesë.
“Kur nuk ka veprime të duhura institucionale dhunuesit shndërrohen në vrasës. Përkundër që kemi marrë masa, po duket se duhet të vazhdojmë me angazhim. Për ta fituar këtë betejë dhe të ketë drejtësi për secilin rast na duhet punë serioze. Nëse të gjitha institucionet nuk janë të vendosura për të luftuar këto fenomene, përgjigjen e dimë, rrezikojmë të vazhdojmë të numërojmë viktimat”, ka thënë ajo.
Haxhiu ka theksuar se do të rishikohet Kodi Penal dhe dispozitat lidhur me armëmbajtjen pa leje.
“Do të bëjmë edhe një herë rishikimin e Kodit Penal për të gjitha rastet e dhunës në familje. Jemi duke punuar në ndryshimin në raport me armëmbajtjen pa leje pasi për shkak të ndëshkimit të ulët ne na duhet të rishikojmë këto dispozita që prokurorët të mos i neglizhojnë këto raste”.