Arbëri

Haxhiu bën thirrje që Radoiçiqi dhe grupi i tij të gjykohen në mungesë

Albulena Haxhiu

Foto: Arkiv

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për gjykimin në mungesë të Milan Radoiçiqit dhe 39 paramilitarëve të tij, të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Duke iu referuar ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, Haxhiu ka thënë se tashmë ekziston baza ligjore për të ndjekur penalisht këta individë edhe në mungesë fizike.

“Me ndryshimet e fundit, gjykimi në mungesë mund të aplikohet edhe për vepra të rënda penale. Kjo përfshin edhe sulmin terrorist në Banjskë. Megjithatë, vlera më e madhe do të ishte që Radoiçiq dhe grupi i tij të dorëzohen dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë në Kosovë”, ka shkruar Haxhiu në Facebook të martën.

Gjatë seancës së parë gjyqësore për tre të akuzuarit për sulmin në Banjskë më 18 prill, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar si të pabazë kërkesën e Prokurorisë Speciale që t’i gjykojë në mungesë të akuzuarit e tjerë.

Në postimin e saj, Haxhiu e cilësoi si të pafalshëm certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e fundit, duke theksuar se Radoiçiqi është kryetar de facto i saj dhe se ky fakt u bë “edhe më i dukshëm pas dorëheqjes së detyruar të Zlatan Elekut, kryetarit formal të partisë”.

Ministrja në detyrë kujtoi edhe praninë e Radoiçiqit dhe zyrtarëve të tjerë të Listës Serbe në paradën ushtarake të Serbisë më 22 prill 2023 në Batajnicë – vendin ku janë ekshumuar mbetjet e 744 shqiptarëve nga një varrezë masive – duke theksuar se kjo dëshmon përfshirjen e drejtpërdrejtë të kësaj strukture politike në akte kundër rendit kushtetues të Kosovës.

“Millan Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij duhet të gjykohen në Kosovë – me ose pa ekstradim – sa më parë”, përfundoi Haxhiu.