Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka hedhur akuza ndaj Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK) për vdekjen e sotshme të të riut nga Peja teksa po trajtohej në QKUK pasi u plagos më 22 maj.
I riu vdiq në QKUK pas plagosjes së trefishtë më 22 maj në Pejë. Të plagosur kishin mbetur edhe babai dhe vëllai i tij. Babai 51-vjeçar kishte vdekur në fillim të qershorit. Për rastin janë arrestuar dy të dyshuar.
Deputeti i PDK-së ka thënë se i riu nga Peja kishte nevojë për trajtim urgjent jashtë vendit, të cilin siç thotë ai, nuk ia mundësoi SHSKUK-ja me arsyetimin se është në gjendje stabile.
“Vdekja e të riut Jetart Berisha erdhi pas një gjendje shëndetësore që kërkonte trajtim mjekësor profesional të avancuar dhe kjo nuk i’u mundësua ngq SHSKUK. SHSKUK dhe MIQ e neglizhoi trajtimin e Jetart Berishës! Më shumë se dy muaj familja e tij kërkonin urgjentisht ta dërgonin për shërim në Itali, por Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimi Intensiv - MIQ nuk e nënshkruan dërgimin për trajtim jashtë vendit me arsyetimin se gjendja e tij është stabile. Mjekët italianë kishin sugjeruar që të trajtohet në Itali sepse gjendja e tij kërkonte intervenim te avancuar mjekësor për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të Jetartit. Si ndodhi që pas konstatimit të mjekëve tanë 'se gjendja e tij është stabile' Jetarti të ndërroj jetë?!”, ka shkruar Haxhiu.
Ai ka kërkuar që Prokuroria të zbardhë rrethanat e këtij rasti.
“Rasti i radhës për prokurori, për zbardhjen e rrethanave të vdekjes së Jetart Berishës. P.S. Sipas raporteve mjekësore të MIQ - SHSKUK, gjendja shëndetësore e Jetart Berishës ishte stabile dhe nuk planifikohej ndonjë intervenim dhe as nuk nënshkruanin për trajtim jashtë vendit”, ka shkruar tutje Haxhiu.