Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pasi që Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm në tërësi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ajo i ka akuzuar gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, për siç ka thënë, shërbim ndaj nomenklaturës së vjetër. Ka thënë se Kushtetueses i janë dashur 16 muaj për ta vlerësuar përputhshmërinë e Ligjit me Kushtetutën.
“5 gjyqtarë nga 9 sa janë gjithsej vendosën që Ligjin më të rëndësishëm në kuadër të pakos kundër korrupsionit e keqpërdorimit të detyrës zyrtare ta shpallin të pavlefshëm. Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet”, ka shkruar Haxhiu në një status në Facebook.
Tutje ajo ka shkruar se Byroja do të bëhet dhe se pasuria publike e shpërdoruar dhe e përvetësuar do të konfiskohet. “Vullneti popullor do të jetësohet”, ka shkruar ajo.
Ajo ka thënë se Ligjit është hartuar në bashkëpunim me ekspertë të fushës e në koordinim të plotë edhe me Komisionin e Vendikut.
“Nën udhëheqjen e Ministrisë së Drejtësisë, si njëra prej çështjeve më prioritare të Qeverisë së Republikës së Kosovës, së bashku me ekspertë të fushës, ish-gjyqtarë të Gjykatës së Strasburgut, në koordinim të plotë edhe me Komisionin e Vendikut kemi përfunduar Ligjin për Byronë për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si përgjigje ndaj fenomenit që e ka gërryer për vite të tëra pasurinë publike e etikën e zyrtarit të lartë publik”, ka shkruar Haxhiu, duke shtuar se në Lij kanë përfshirë të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venedikut.
“Në mënyrë që gjithçka të jetë përbrenda parimeve dhe standardeve më të larta të BE-së, kemi inkorporuar secilin rekomandim të institucionit më të lartë të Këshillit të Evropës siç është Komisioni i Venedikut”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka akuzuar edhe Partinë Demokratike të Kosovës, e cila e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin.
“Pavarësisht kësaj, PDK e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese këtë projektligj për të bllokuar e sabotuar reformën tonë në drejtësi si njërin prej dy prioriteteve tona kryesore, e për ta vonuar konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Arsyet për këtë tashmë i kanë të qarta të gjithë”, ka shkruar Haxhiu.