Arbëri

Haxhimusa e konsideron amatoreske qasjen e Ministrisë së Ekonomisë për energjinë

Adhurim Haxhimusa

Adhurim Haxhimusa, ekonomist i energjisë, ka konsideruar se Ministria e Ekonomisë ka pasur qasje amatoreske kur ka bërë thirrje për subvencionimin e pajisjeve për rritje të efiçienës pasi, sipas tij, njerëzit që janë ngrohur me dru tani kanë kaluar në kondicionerë apo kalldaj elektrik dhe kjo po rrit konsumin e energjisë elektrike.

Ditëve të fundit, disa rajone të Kosovës janë përballur me reduktime të shumta. Arsyetimi i reduktimeve ka qenë për shkak të mbingarkesës në rrjet. Është bërë thirrje nga institucionet që të kursehet rryma. Problem të ngjashëm pati edhe vitin e kaluar.

Në një intervistë në “Interaktiv” të premten, Haxhimusa ka thënë se është e pakuptueshme pse Ministria e Ekonomisë ka subvencionuar pajisje të cilat rrisin konsumin e energjisë elektrike.

“Është e pakuptimtë si është bërë subvencionimi i këtyre pajisjeve sepse jo vetëm që kanë rritur konsumin gjatë dimrit, por edhe gjatë verës. Janë të pakuptimta thirrjet ose investimet në pajisjet për rritje të efiçiencës, ku njerëzit i detyron me kalu nga konsumi i drurit për ngrohje ose i thëngjillit në energjinë elektrike. Është qasje amatoreske e Ministrisë së Ekonomisë për subvencionimin e këtyre pajisjeve. Paramendoni secila familje ta instalojë një kalldaj elektrik për ngrohje, ato kërkojnë fuqi të madhe startuese... me i instalu secila familje, nuk ka sistem që mund ta përballojë atë ngarkesë. E lëre më Kosova”, ka thënë ai, duke shtuar se këto përpjekje për ta zgjidhur problemin kanë pasur efekt të kundërt.

Haxhimusa nuk beson që faji për mungesën e energjisë elektrike në Kosovë qëndron te KEDS-i. Thotë se ka mundësi që Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) nuk po e lejon Operator Sistemin, Transmisionin dhe Tregun (KOSTT) të blejë rrymë me çmim të shtrenjtë sepse pastaj u duhet ta rrisin çmimin në fatura.

“Nuk besoj që problemi qëndron te KEDS-i, ai e ka distribucionin, ndërsa KESCO e ka shitjen. Problemet mundet me qenë te KESCO. KESCO i ka tarifat e rregullume, ajo mund ta blejë rrymën shumë shtrenjtë, por tarifat i ka të rregulluara. Nuk besoj që KESCO heziton me ble, sepse në fund qytetarët e paguajnë. KESCO nuk humb edhe nëse blen me çmim të shtrenjtë. Ka mundësi që ZRRE-ja nuk i jep leje me ble energji me çmim shumë të lartë (sepse pastaj duhet të rritet edhe çmimi në fatura për qytetarët) dhe KESCO e njofton KEDS-in (që nuk po e lejon me ble) dhe KEDS-i vendos në mënyrë arbitrare të lë një pjesë të konsumatorëve pa energji”, ka deklaruar eksperti i energjisë.

Haxhimusa e ka vlerësuar si shumë qesharake deklaratën e kryeshefit të KOSTT-it, Evetar Zeqiri, https://www.koha.net/arberi/kostt-sistemi-elektroenergjetik-po-perballet-me-mbingarkese-si-rezultat-i-zhvillimit-ekonomik

“Masi të gjithë janë tallur me të sepse është qesharake ajo deklaratë. Po e kursej edhe ministren, edhe kryeshefin e KOSTT-it”, ka deklaruar ai.