Arbëri

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë fajësinë për frikësimin e një dëshmitari të Speciales

Haxhi Shala - Sabit januzi

Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar fajësinë për frikësim të një dëshmitari të Gjykatës Speciale. Shala, në marrëveshje me prokurorinë, është pajtuar me tre vjet burgim. E në marrëveshjen për pranimin e fajësisë për Januzin parashihet shkallë dënimi nga 2 deri në 2 vjet e gjysmë burgim. Edhe Ismet Bahtijari arriti një marrëveshje të ngjashme për pranim të fajësisë

Ish-eprori i UÇK-së, Haxhi Shala, dhe ish-pjesëtari i gueriles, Sabit Januzi janë pajtuar të dënohen nga Gjykata Speciale në këmbim të heqjes së njërës prej dy akuzave për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Gjatë seancës së të mërkurës në Hagë, Shala e ka pranuar akuzën për frikësim të një dëshmitari dhe një akuzë për pengim të personit zyrtar, si dhe ka konfirmuar se heq dorë nga ankesa. 
“Po e nderuar, e kam kuptuar dhe pajtohem me atë që jemi marrë vesh me avokatin dhe avokati me prokurorin. Në qoftë se vendimi është për mbi tre vjet unë do ta apeloj, në qoftë se është tre vite e poshtë jo”, ka thënë Shala në gjykatë.

Shala shprehu pajtimin edhe me konstatimet në marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe theksoi se atë e ka lidhur me vullnet të lirë.

“Jam i vetëdijshëm për këtë marrëveshje, e kuptoj shumë mirë, sepse është edhe në gjuhën shqipe. Kam komunikuar edhe me avokatin tim dhe plotësisht jam dakord me këtë marrëveshje. I kuptoj edhe pasojat, edhe të gjitha”, ka thënë ai.

Pas kësaj Shala u deklarua fajtor.

“Nuk jam intervistuar asnjëherë nga prokuroria, as nga hetuesit dhe nuk isha i njoftuar se për çfarë bëhej fjalë dhe për këtë arsye jam deklaruar i pafajshëm. Tash jam i fajshëm, me atë që jam pajtuar”, ka thënë Shala.

Në këtë seancë u bë e ditur se marrëveshja e pajtuar mes Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Sabit Januzit përmban shkallën e dënimit nga dy vjet deri në dy vjet e gjysmë burgim. Januzi e shprehu veten fajtor për atë që e ka bërë në prill të 2023-tës. 

Trupi gjykues konstatoi se edhe marrëveshja e re e bërë mes organit të akuzës dhe Ismet Bahtijarit është e rregullt dhe vendosi që më 19 dhjetor të zhvillohet seancë për të.

Shala u arrestua më 11 dhjetor 2023, dhe një ditë më vonë u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë. Ndërkaq, Januzi u arrestua më 5 tetor 2023 dhe prej atëherë është mbajtur në paraburgim në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Në dy marrëveshjet e fajësisë është theksuar se në periudhën midis 5 dhe 12 prillit 2023, Shala, bashkë me Januzin dhe Bahtijarin kontaktuan një dëshmitar. Aty theksohet se dëshmitarit iu bënë vizita në shtëpinë e tij dhe iu ofruan benefite në këmbim të tërheqjes së dëshmisë së tij.
Sipas Prokurorisë, vepra në grup u krye nën direktivën e Shalës.
Deri më tani, nuk është bërë publike se për cilin dëshmitar bëhet fjalë, apo në cilin rast ka dëshmuar ai.
Dhomat e Specializuara të Kosovës deri më tani kanë shpallur dy aktgjykime për pengim në administrim të drejtësisë.

Këtë muaj, Gjykata Speciale konfirmoi një aktakuzë të re kundër ish-presidentit Hashim Thaçi, si dhe kundër katër personave të tjerë për vepra penale që lidhen me “pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Dhomat e Specializuara të Kosovës bënë të ditur se aktakuza u konfirmua kundër Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut.

Ndërkohë, Specialja ka shqiptuar edhe dy aktgjykime për krime lufte.

Lexo përditësimet tjera
Haxhi Shala

Shala deklarohet fajtor, dakordohet për dënim me 3 vjet burgim

Haxhi Shala të hënën në Hagë e ka ndryshuar deklarimin rreth fajësisë. Tani ai e ka...