Kosova e ka fituar rastin kundër kompanisë financiare “IuteCredit” në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbritazhit, ka konfirmuar të premten kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti dhe ish-zëvendësguvernatori, Sokol Havolli.
Havolli, që në kohën kur “IuteCredit” e kishte paditur Kosovën në Arbitrazh ishte zëvendësguvernator i BQK-së, është shprehur krenar që nga kjo çështje Kosovës i janë shpëtuar 30 milionë euro.
“Ndjehem shumë krenar që, me autorizimin e Guvernatorit Fehmi Mehmeti, udhëheqa ekipin me të cilin i’a shpëtuam Kosovës 30 milionë euro. I mbrojtëm qytetarët e Kosovës nga abuzimi financiar dhe ruajtëm stabilitetin financiar në vend”, ka shkruar Havolli në profilin e tij në Facebook.
Kurse kryeministri Kurti e ka cilësuar si fitore të radhës të Kosovës në Arbitrazhin Ndërkombëtar.
“Republika e Kosovës shënon fitoren e radhës në arbitrazhin ndërkombëtar, duke vërtetuar ligjshmërinë e veprimeve institucionale ndaj investitorëve. Republika jonë ka krijuar ambient të përshtatshëm për investime të huaja dhe marrëdhënieve me investitorë i qaset me përkushtim e seriozitet të plotë”, ka shkruar ai në Facebook.
Ai ka falënderuar Ministrinë e Drejtësisë, Avokaturën Shtetërore në kuadër të Ministrisë si dhe ekipin përfaqësueses të Squire Patton Boggs.
“Gjatë këtij mandati qeverisës, kjo është fitorja e dytë e Kosovës në arbitrazhin e investimeve, pas rastit Selmani në padinë ndaj shtetit me vlerë të pretenduar rreth 65 milionë euro”, ka shkruar tutje Kurti.
Ndërkohë, guvernatori i BQK-së përmes një reagimi në Facebook ka thënë se u dëshmua që vendimi për revokim të licencës të "IuteCredit" ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.
"Me këtë rast dua të falenderoj stafin e BQK-së për punë të jashtëzakonshme në këtë proces dhe të gjitha institucionet e vendit", ka shkruar Mehmeti, duke shtuar se BQK-ja mbetet e përkushtuar që të krijojë kushte për konkurrencë të shëndoshë.
“IuteCredit” ishte pjesë e një rrjeti institucionesh që kanë ofruar kredi të shpejta me kamata ekstremisht të larta, të vëna jashtëligjshëm.
“IuteCredit” e kishte dërguar Kosovën në Arbitrazh në fillim të vitit 2020 pasi BQK-ja ia kishte revokuar licencën në dhjetor të 2019-s. BQK-ja pretendonte se ky institucion financiar funksiononte me norma të interesit jashtë çdo standardi.
KOHA pati shkruar gjerësisht për funksionimin e këtyre institucioneve financiare