Në përmbyllje të dëshmisë së tij, dëshmitari Nait Hasani tha se njërën nga nofkat e të pandehurit Gavrilo Milosavleviq e ka dëgjuar nga ish-të burgosurit në Burgun e Dubravës, që i mbijetuan masakrës. Dëshmitari tha po ashtu se nuk ka pasur gardian që nuk ka marrë pjesë në një formë, në keqtrajtim dhe në masakrën e të burgosurve shqiptarë në periudhën 22-24 prill 1999
Dëshmitari Nait Hasani, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, tha të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë se ka dëgjuar disa herë të përmendet nofka e të akuzuarit për krime lufte, Gavrilo Milosavleviq.
Milosavleviq akuzohet për pjesëmarrje në masakrën e Dubravës në prillin e vitit 1999 dhe për keqtrajtim të të burgosurve.
Hasani, që është anëtar i Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe ish-deputet, u shpreh se të burgosurit e tjerë ia kanë përmendur gardianin me nofkën Gagi, e që, sipas aktakuzës, i referohet të pandehurit Milosavleviq.
“Të burgosurit që kanë qenë më herët në Burgun e Dubravës, që janë të shumtë, shokë të mi, që kemi qenë pjesë në kohën e bombardimeve, vrasjeve, torturës edhe dhunës që kanë bërë gardianët, policët dhe të burgosurit serbë... shokët që ishin aty e kanë identifikuar gardianin me emrin Gagi”, ka thënë Hasani gjatë dëshmisë.
Në fund të deklarimit ai tha se duhet vendosur drejtësi për 117 viktimat e masakrës që forcat serbe e kryen mbi civilët shqiptarë. Ai theksoi se forcat serbe, ku bënin pjesë policët, gardianët e të burgosurit serbë që u liruan, pa përjashtim ishin pjesëmarrës në masakrën e Dubravës.
“Të gjithë këta gardianë në një formë apo në formë tjetër kanë marrë pjesë në torturim, dhunë e vrasjen e të burgosurve”, ka thënë Hasani.
Ai tha po ashtu se Shoqata e të Burgosurve Politikë ka paraqitur kallëzim penal në Gjykatën e Qarkut në Pejë, në janar të 2007-s – ku paraqiti një listë me 32 persona që, sipas shoqatës, janë pjesëmarrës të krimit në Dubravë.
“Qe 17 vjet e kemi bërë këtë kallëzim dhe më vjen mirë që sot po merr një përfundim”, është shprehur ai.
Në atë listë Hasani tha se është edhe një gardian me nofkën Gagi, e që quhet Miroslav Gavriloviq e jo Gavrilo Milosavleviq, sikurse i pandehuri.
Prokurorja speciale, Ajshe Ferati, tha se emrat në këtë listë janë subjekt i hetimit.
Në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, Vesel Ismaili, se a ishte emri i të akuzuarit në atë listë, dëshmitari u përgjigj se kallëzimi penal nuk përmbante emrin e Gavrilo Milosavleviqit. Sipas tij, identifikimi i gardianëve ishte i vështirë, meqë të burgosurit shqiptarë urdhëroheshin të mbanin kokën ulur gjatë gjithë kohës.
Seanca e radhës për këtë rast do të mbahet më 6 shkurt.