Arbëri

Hasani: Siguria në marrëdhëniet ndërkombëtare ka ndryshuar, s’ka më formë tradicionale

Adelina Hasani nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ka deklaruar se siguria në marrëdhëniet ndërkombëtare ka ndryshuar. 

Sipas saj, Kosova nuk mund ta shohë më sigurinë në vija apo në formë tradicionale.

Të mërkurën në “60 Minuta” të KTV-së, Hasani ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta kenë një strategji të përbashkët për parandalimin e ndikimit rus në rajon. 

“Nuk mund ta shohim më sigurinë në vija apo në formën tradicionale, sepse siguria në vetvete në marrëdhëniet ndërkombëtare ka ndryshuar, kemi sulme kibernetike, por gjithashtu edhe lajmet e rrejshme kanë një ndikim shumë të madh për sigurinë. Për këtë arsye të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor nuk e kanë një strategji të përbashkët se si ta parandalojnë këtë”, ka thënë ajo. 

Hasani ka shtuar se narrativa e Rusisë, e cila po mundohet ta ulë kredibilitetin e institucioneve të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, po ka sukses në Evropë, por edhe në pjesën veriore të Kosovës. 

“Po e shohim se Rusia ka sukses sepse një narrativë e tillë, duke u munduar ta ulë kredibilitetin e NATO-s dhe BE-së ka sukses sidomos në rritjen e disa grupeve radikale. Në Kosovë nuk po them se ka sukses shumë të madh, por ka sukses dhe më e keqja është se këto narrativa po ripostohen nga disa gazetarë e më pas ripublikohen në mediumet tona, që në një formë i bie se i shërbejmë propagandës ruse që tenton ta ulë kredibilitetin e institucioneve të vendit dhe të tjerave që janë jetësore për sigurinë në Kosovë”, është shprehur ajo.