Ish-gazetari i "Rilindjes" në periudhës të luftës ka deklaruar forcat serbe në fillim s’kishin lejuar të prekeshin trupat e vrara të familjes Jashari. Ai ka thënë se serbët me ekskavator i kanë varrosur ata, duke mos lejuar që të prekeshin nga të tjerët. Sipas Istogut, gjatë varrimit gjashtë trupa nuk identifikoheshin.
“Më 9 mars kanë ardhur rreth 2.000 njerëz nga të gjitha anët në lagjen Jasharaj. Kemi pritur deri në orën 16:00, ku na u njoftua se s’do të bëjmë varrimin. Në mbrëmje ushtria i ka detyruar t’i ngarkojnë arkivolet me kamioneta dhe i kanë lëshuar mbarë e mbrapshtë. Një ekskavator i ka mbuluar”, ka thënë Istogu.
Ai ka shtuar se më 10 mars morën leje nga Serbia që “të mos bëjmë asgjë tjetër pos t’i formësojmë varret”.
“Atë ditë e kuptuam se presioni për t’i varrosur kihte një qëllim, se me 10 mars ishin lejuar agjencitë botërore të lajmeve nga formacionet serbe që të akreditoheshin në Prekaz dhe të ishin aty”, ka thënë ai.
Betimi i Hamzës në varrimin e Tahir Mehës dhe sulmet ndaj Jasharëve, sipas Istogut
Ish-gazetari i “Rilindjes” në kohën e luftës, Sabit Istogu, ka rrëfyer lidhur me betimin e Hamëz Jasharit në varrimin e Tahir Mehës dhe sulmet ndaj familjes Jashari, të cilat nuk ndodhën vetëm më 5,6 dhe 7 mars por edhe më herët.
Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Istogu ka thënë se në varrimin e Tahir Mehës, Hamza ishte betuar se do ta vazhdojë rrugën e tij, ndonëse sipas tij, e njëjta gjë sikurse Mehës do t’i ndodhte edhe vetë atij.
Ai ka shtuar se sulmet ndaj familjes Jashari nuk kanë nisur më 1998, por edhe më parë, nga dhjetori i vitit 1991.
“Ishte rrethim i hekurt i lagjes Jashari, deri afër Lushtakëve dhe Kodrajve, por ishte edhe një rrethim tjetër nga Drenasi deri në Polac, ky ishte një rrethim preventiv që mos t’u mundësohet shokëve të Adem Jasharit të kalojnë dhe t’i shkojnë në ndihmë Adem Jasharit. Prekazi ka qenë burim i pothuajse të gjitha luftërave që janë zhvilluar në Drenicë e Kosovë...Nuk është vetëm 5, 6 dhe 7 marsi, Adem Jashari është rrethuar edhe një herë më 30 dhjetor të vitit 1991, me Hamzën kam pasur kontakte, e kisha shok të gjeneratës dhe shpesh më njoftonte. Në varrimin e Tahir Mehës ai ishte betuar se do ta vazhdojë rrugën e tij. Hamza më thotë se diçka e tillë që i ka ndodhur Tahirit, do të na ndodhë edhe ne, por kur nuk e di. Dhe ajo ndodhi më 30 dhjetor 1991 kur rreth orës 5 të mëngjesit, tentuan ta rrethojnë Adem Jasharin, por Sahiti i kishte diktuar sepse shtëpia e Sahitit është në hyrje të lagjes, kishte dëgjuar zhurmën e autoblindave, kishte ikur dhe kishte shtënë në ajër sepse ashtu kishin biseduar ne Ademin që në rast se kupton diçka, të na lajmërojë me të shtëna dhe është rrethuar pjesa e poshtme e shtëpisë”, ka thënë ai.
Istogu, i cili e njihte nga afër Hamëz Jasharin, ka treguar se si Hamza, Ademi dhe Rifat Jashari kanë arritur që me shpejtësi të reagojnë për të mos lënë policinë serbe të hyjnë brenda.
“Më ’91 ka pasur rezistencë vetëm sa për ta kaluar rrethimin. Baca Rifat, Hamza e Ademi arrijnë që me shpejtësi ta çajnë rrethimin, duke shtënë në mënyrë që policia të mos hyjë brenda. Unë në atë kohë i dëgjova ato të shtëna”, ka thënë Istogu.
Ai tutje ka thënë se rasti i dytë i sulmit ndaj kësaj familje ishte më 22 janar 1998.
“Rasti i dytë është i 22 janarit 1998, aty ndodhi një blic-sulm. Shumë herët në mëngjes, realisht ka qenë Ramazan, pjesëtarët e familjes së bacës Shaban kanë agjëruar të gjithë. Posa e kanë ngrënë syfyrin, në Skenderaj janë ndërprerë linjat telefonike dhe energjia elektrike. Hamza më thotë se nga oda për të shkuar në shtëpi ka qenë errët, është ngjitur në dhomën e gjumit dhe atëherë ka filluar ai sulmi nëpër mure e dritare, i ka thënë fëmijëve që të shtrihen në dysheme dhe e ka dëgjuar automatikun e babait që ua ka ndërprerë hyrjen në odë dhe ai blic-sulm ka zgjatur shumë pak, nuk kanë mundur ta kryejnë kidnapimin e tyre, Ademi atë ditë nuk ka qëlluar aty”, ka thënë Istogu.
Hasani: Sakrifica e Jasharëve është shfrytëzuar gjithëherë nga politika
Nait Hasani, bashkëpunëtor i komandantit Adem Jashari, ka deklaruar se lufta dhe sakrifica e familjes Jashari është shfrytëzuar përherë nga politika.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se komandanti s’është vra për politikë e as për parti, por për lirinë e Kosovës.
“Më shumë është bërë fushata politike të partive se një vlerësim i drejte. Herë një parti e herë një tjetër e kanë vlerësuar, nga pushteti. Duhet të kuptohet se Ademi është UÇK-ja, është lufta për liri e për çlirim, pa parti”, ka thënë ai.
Sipas Hasanit, Adem Jashari është mbi politikën.
“Gjithherë ka politizime, por s’duhet të politizohet kjo pjesë. Duhet të mbetet si pjesë e shenjtë dhe simbolikë e jonë e qëndresës, e luftës dhe e së ardhmes si trashëgimi. Nëse ne i arrijmë këto, e kemi ngritur Ademin mbi politikën. Ai rri krenar mbi gjakun e dëshmorëve me lirinë e Kosovës. Ademi Jashari s’është vra për parti politike, s’ka njohur parti”, ka thënë ai, duke shtuar ai po ashtu s’ka luftuar as për fe e parti.