Enver Hasani, profesor i së drejtës ndërkombëtare, ka theksuar se edhe pa ndërhyrje nga jashtë rezultati nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut në mesin e partive shqiptare do të ishte i njëjtë.
Ai ka thënë se ndërhyrja e kryeministrit të Kosovës i ka përçarë shqiptarët atje.
“Ajo çka ka bërë Kurti është e sigurt, e ka hegjemonizuar faktorin maqedon-sllav dhe e ka përçarë trupën shqiptare, kjo shihet sot. Por, edhe pa ndërhyrjen e Kurtit, vetëm ata të kishin luftuar politikisht mes vete, do të ishte ky rezultati... E kam thënë se ishte gabim kur u bë BDI kundër VMRO-së. Shqiptarët nuk duhet ta luajnë atë lojë. E keqja është se u përçanë, përndryshe nuk ka pasur ndryshim të madh në VLEN, çfarëdo rezultati qoftë me pesë deputetë, shihet qartë se vullneti është më i madh me këta të BDI-së”, ka thënë ai.
Hasani: Kushdo që e ka këshilluar Kurtin për dialogun, nuk ia ka dashur të mirën Kosovën
Hasani ka thënë të mërkurën në “Konfront” se përmbajtja e Asociacionit është përpunuar me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksin e Ohrit, që sipas profesorit, nuk u bë pa dijen e palës kosovare.
“E kam thënë para Kurtit...kushdo që e ka këshilluar për formën e dinamikat e dialogut me Serbinë s’ia ka dashur të mirën as atij e as Kosovës...E ka futur Kosovën llugave”, ka thënë ai.
Hasani: Emisarët nuk kanë dështuar, me ta dialogu është institucionalizuar
Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se ndërmjetësuesit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk kanë dështuar. Siç ka thënë ai, dialogu është institucionalizuar.
Hasani në emisionin “Konfront” në KTV ka theksuar se bashkësia ndërkombëtare ka krijuar një kuadër juridik në dialog.
“Nuk mendoj se ata kanë dështuar, implementimi nuk është qind për qind. Ata kanë krijuar një kornizë juridike dhe e kanë futur çështjen e dialogut Kosovë-Serbi në mekanizmat euroatlantikë, të integrimit tonë euroatlantik. Kjo nuk ka qenë përpara, nuk ka qenë me vendosë BE-ja... Dialogu Kosovë-Serbi përpara nuk ka qenë kështu, pjesë e këtij trendi. Është institucionalizuar, edhe sanksione, edhe dhuratat, edhe lëvdatat. Ata kanë krijuar një kuadër juridik”, ka thënë Hasani.
Hasani: Kushtëzimi i Francës dhe Gjermanisë, për shkak të mosbesimit ndaj Kurtit
Ai ka deklaruar të mërkurën në “Konfront” të KTV-së se ashpërsia e kërkesës së ndërkombëtarëve “është poshtëruese pasi shpreh mosbesim të thellë”.
“Është poshtëruese për një arsye, kërkesa që ka lindur me këtë intensitet ka të bëjë me mosbesimin që bëhet ndaj Kurtit sa i përket realizimit të zotimeve që janë marrë”, ka shtuar ai.