Arbëri

Hasani: Marrëveshja e Ohrit krijoi kushtetutë rivale

“Në Kosovë sot janë dy kushtetuta, një materiale, që u krijua në Ohër, e cila ka ngritur në rang kushtetues të gjitha zotimet ndërkombëtare të Kosovës, ndërkohë që më herët ato zotime kanë pasur cilësinë e detyrimeve ndërkombëtare me fuqi më të ulët se Kushtetuta e Kosovës”, ka thënë ish-kryetari i Kushtetueses. “Entiteti juridik që normohet është autonomi politike, ani pse pushteti po provon ta cilësojë si autonomi joterritoriale që ka vetëm vetëmenaxhim. Kjo autonomi politike do të operojë tërësisht si një agjenci e Republikës së Serbisë”

Kosovës i është krijuar një kushtetutë rivale nëpërmjet marrëveshjes me Serbinë, ka thënë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Në një intervistë për KOHËN, në prag të 15-vjetorit të Kushtetutës, ai ka theksuar se lëshimet e bëra prej më shumë se një dekade në kuadër të dialogut të Brukselit tani janë transformuar dhe shndërruar në norma materiale kushtetuese që krijojnë marrëdhënie paralele të pushtetit dhe rolin e pozitën e serbëve lokalë e ngrenë në kategori të elementit të privilegjuar kundruall krejt të tjerëve, përfshirë popullin shumicë.

“Kjo përbën kushtetutë të re, kushtetutë materiale, e cila operon në rivalitet me Kushtetutën e Kosovës”, thotë Hasani, i cili është edhe profesor i së drejtës ndërkombëtare.

Në këtë intervistë ai flet për pasojat e këtij zhvillimi, për zbatueshmërinë e Kushtetutës, e edhe për gjykimin e ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale, mekanizëm i krijuar nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese.
 

KOHA: Këta 15 vjet, prej që Kushtetuta ka hyrë në fuqi, çfarë kanë treguar për përmbajtjen e saj dhe respektimin nga qytetarët dhe përfaqësuesit institucionalë?

HASANI: Këta 15 vjet kanë shpalosur shumë gjëra që lidhen me objektin që rregullohet me Kushtetutën e Kosovës, përkatësisht me marrëdhëniet e pushtetit dhe rolin e pozitën e njeriut të Kosovës në shoqëri. Sa u përket marrëdhënieve të pushtetit, origjinës dhe organizimit të tij, mënyra se si është zbatuar e respektuar Kushtetuta lë shumë për të dëshiruar: ka pasur dhe ka aktualisht rezistencë ndaj zbatimit të vendimeve që merren në emër të Kushtetutës, kurse pushteti në mënyrë të vazhdueshme komenton vendimet e gardianit të Kushtetutës nga një kënd tërësisht politik. Kjo nuk i bën mirë sundimit të ligjit, sepse kultivon kulturën e mosrespektit të aktit më të lartë juridik.

KOHA: Së paku në veriun e banuar kryesisht me serbë, sa ka qenë i sfiduar rendi kushtetues? Si të ndërrojë situata?
 

HASANI: Me veriun e Kosovës në të kaluarën, por edhe nën këtë pushtet, janë bërë shumë eksperimente që kanë prolonguar zgjidhjen e problemit dhe kanë forcuar kohezivitetin e nacionalizmit serb në Kosovë. Aktualisht veriu është pa polici, “rendi” publik mbahet me forca speciale dhe kjo nuk u bën mirë Kosovës dhe rrugës së saj euroatlantike. Atje nuk ka prokurorë e gjyqtarë serb për të mirëmbajtur juridiksionin dhe kompetencën e sistemit të drejtësisë sonë nacionale në atë pjesë të vendit. Nuk ka kushte për jetë normale, sepse çdo gjë është jashtë ligjit. Kjo ka një çmim për perspektivën e Kosovës.

Situata ndryshon vetëm përmes rrugës dhe mjeteve politike, asnjëherë ndryshe: sa më shumë të zgjasë kjo gjendje në veri, aq më shumë koncesione do t’i bëhen nacionalizmit serb në Kosovë.


KOHA: Ka pasur shqetësime publike në lidhje me cenimin e rendit kushtetues edhe nëpërmjet marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë. Sa të arsyeshme janë ato?

HASANI: Në dialogimin me Serbinë në vazhdimësi janë prodhuar dokumente e tekste që ngërthejnë detyrime ndërkombëtare për vendin, të cilat, në thelb, kanë qenë lëshime në kurriz të shtetësisë së Kosovës. Deri në Marrëveshjen e Ohrit ka pasur përpjekje dhe hapa që kanë akomoduar këto lëshime brenda sistemit kushtetues të vendit, duke ruajtur hierarkinë e normave kushtetuese. Me këtë marrëveshje të gjitha këto lëshime janë shndërruar në norma materiale kushtetuese, që krijojnë marrëdhëniet paralele të pushtetit, kurse rolin dhe pozitën e serbëve lokalë e kanë ngritur në kategori të elementit kushtetues të privilegjuar kundruall krejt të tjerëve, përfshirë popullin shumicë. Kjo marrëveshje ka vënë themelet për një kushtetutë të re, kushtetutë materiale dhe paralele, e cila operon në rivalitet me Kushtetutën e Kosovës, 15-vjetorin e së cilës këto ditë po e festojmë.


KOHA: Cilat mund të jenë pasojat nga "kushtetuta paralele" për të cilën po flisni?

HASANI: Të shumëfishta. Në rend të parë, në Kosovë sot janë dy kushtetuta, një materiale, që u krijua në Ohër, e cila ka ngritur në rang kushtetues të gjitha zotimet ndërkombëtare të Kosovës, ndërkohë që më herët ato zotime kanë pasur cilësinë e detyrimeve ndërkombëtare me fuqi më të ulët se Kushtetuta e Kosovës. Së dyti, entiteti juridik që normohet është autonomi politike, ani se pushteti po provon ta cilësojë si autonomi joterritoriale që ka vetëm vetëmenaxhim. Kjo autonomi politike do të operojë tërësisht si një agjenci e Republikës së Serbisë dhe do të jetë shumë më afër sistemit juridik serb sesa atij të Kosovës, në çdo aspekt. Këtu nuk po llogaris statusin e Kishës Serbe, e cila në tërësi do të vihet jashtë juridiksionit të Shtetit të Kosovës. Fare në fund, dialogu ngelet i hapur dhe, me të gjitha këto koncesione, ai do të shërbejë si një levë ndikimi i Serbisë në planin ndërkombëtar për mosnjohje të mëtutjeshme të Kosovës dhe inkurajim të vendeve që na kanë njohur për tërheqjen e njohjeve të tyre. Disa prej ndërkombëtarëve që paguhen me taksat tona për këshilla juridike pushtetit aktual, në paraqitjet e tyre publike me shkrim, me shumë të drejtë kanë vënë në dukje rastin e Biafrës në Nigeri, si një shembull që mund t’i ndodhë Kosovës. Nëse pushteti vazhdon kështu me koncesione në dëm të sovranitetit të vet territorial, shumë shpejt propozimet do të jenë edhe më të qarta dhe më konkrete sa i përket afrimit edhe më të madh ndaj Serbisë. Nëse me Ohër Serbia u afrua më shumë në Kosovë, duke shtrirë sovranitetin e saj në mënyrë të kamufluar, nesër propozimet mund të jenë të atilla që kërkojnë nga Kosova formalizimin e një lidhjeje tjetër shtetërore me fqinjin tonë verior. Themelimi i vetëqeverisjes regjionale për serbët lokalë nuk është qëllim, por mjet për të realizuar një lidhje tjetër të Kosovës me Serbinë.

KOHA: Kushtetuta u është nënshtruar disa herë amendamentimit, përfshirë edhe në rastin e krijimit të Gjykatës Speciale. Cila është përshtypja juaj për fillet e gjykimit në Hagë dhe për faktin që ish-liderët e Kosovës mohuan lidershipin në UÇK, përkatësisht mirëfunksionimin e zinxhirit komandues?
 

HASANI: Aspekti thelbësor i akuzës është mënyra e përgjegjësisë së atyre që akuzohen në Hagë, tanimë e njohur si ndërmarrje e përbashkët kriminale. Element kyç në këtë model të përgjegjësisë është vazhdimësia e aktivitetit të pretenduar kriminal, prandaj Prokuroria nisi narrativin me lëvizjen ilegale në Kosovë të viteve ’80 të shekullit të kaluar. Këtu nuk u kuptua dhe u dukën absurde pretendimet e organit të kauzës për sulmet në policinë serbe në vitet ’90 të shekullit të kaluar. Krejt ky narrativ ka shpjegim të thjeshtë juridik: organi i akuzës në Hagë po synon të dëshmojë se ata që janë atje kanë qenë një ndërmarrje e përbashkët kriminale doherë në jetën e tyre prejse njihen mes vete në veprimtarinë e tyre politike. Këtë kurrë nuk do të mund ta provojnë, bazuar në atë që kam parë nga teksti i aktakuzës dhe ndërtimit të saj. Këtë për ta provuar organi i akuzës do të duhej të kishte pasur kamerat e tipit “VIP Big Brother” që nga viti 1981, diçka që nuk mund të ndodhë. Kjo është një betejë juridike që fitohet me rrugë dhe mjete juridike, jo me shitje të trimërisë dhe me referime në libra e intervista të botuara në kohë paqeje, të cilat asnjë vlerë provuese nuk kanë pa u provuar ekzistimi në mënyrë kontinuele i veprimit kriminal të pretenduar (në tri format e ndërmarrjes së përbashkët kriminale). Sa i përket përgjegjësisë komanduese, ndërkaq, ajo tanimë është provuar në Hagë në rastet Limaj e Haradinaj dhe nuk mund të ndryshojë kurrë, sepse hyn në fakte të gjykuara që nuk mund të ndryshohen. Kjo nënkupton se, ajo që ngelet për t’u provuar, kryesisht ka të bëjë me përgjegjësinë penale individuale, që nuk është strategji dhe as synim i organit të akuzës, për shkak se krejt narrativi i aktakuzës bazohet në modelin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale.