Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, ka deklaruar se Bashkimi Evropian nuk pritet ta konsiderojë të dështuar punën e të dërguarit për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, duke thënë se ai e ka diktuar krejt formatin në dialog. Sipas tij, Lajçaku ka luajtur me palën kosovare në dialog.
Hasani ka deklaruar të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se draftstatuti i dakorduar për themelimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës, duke shtuar se ai nënkupton pushtet të plotë për serbët.
“Në aspektin e konceptimit të dialogut dhe në letrat që janë prodhuar, Lajçaku ka pasur sukses të jashtëzakonshëm. Lajçaku ka luajtur si macja me miun me Kurtin dhe palën tonë. Kushti i parë që ka bërë për t’u tallur ka qenë që t’i bindë që procesi duhet të jetë diskret. Lajçaku e ka diktuar formatin që ka bërë prerje cezariane, pos themelimit të Asociacionit që tani e kemi me Marrëveshjen e Brukselit dhe Aneksit të Ohrit. Është bashkësi që bëhet fjalë për një entitet që i ka të gjitha nivelet e pushtetit”, ka thënë Hasani.
Sipas profesorit të se drejtës, në rastin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës kërkohet që “Kosova të jetë më serioze në zbatimin e obligimeve”, e kjo sipas tij, mund të bëjë që anëtarësimi të mos bëhet si shtet, por si një vend.
“...Nuk habitem që edhe raporti për KiE-në të kuptojë që pala kosovare duhet të bëjë edhe hapa të prekshëm për formimin e Asociacionit. Ai është draftstatuti që duhet të shkojë në Kushtetuese për kontroll. Ai bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës...Mund të them që nëse aktgjykimi i 2015-s merret për bazë, s’ka jurist që mund të thotë se ai draft e edhe ai i Edi Ramës, cilido prej tyre mund të kalojë testin e Kushtetutës”, ka theksuar Hasani.
Hasani ka deklaruar se me luftën në Ukrainë, pala kosovare ka humbur rastin që të tregohet si ofruese e sigurisë.
Ai ka thënë se nga kjo doli edhe “hezitimi i KFOR-it për të reaguar në sulmin ndaj gazetarëve në veri”.
“Me çështjen e Ukrainës e kemi humbur një shans duke kthyer rritjen e forcave të NATO-s...Edhe KFOR-i ka pasur hezitim sepse s’mund t’i kryejë çështjet e policisë”, është shprehur ai.
Për çështjen e dinarit serb, Hasani ka thënë se kjo mund të rregullohet nëpërmjet draftstatutit, e kjo temë sipas tij, “u krijua qëllimshëm në Bruksel”.