Shqipëria i ka kërkuar Kosovës të jetë fleksibile në dialogun me Serbinë, me qëllimin për të shkuar drejt një marrëveshjeje që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe që siguron paqe të qëndrueshme. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, tha se Kosova mbetet prioritet për Tiranën zyrtare.
Kryediplomati i Shqipërisë, Igli Hasani, ka thënë se Kosova mbetet prioritet kombëtar, por ka bërë thirrje që Prishtina zyrtare të tregohet fleksibile në dialogun me Serbinë.
Në adresimin e fundvitit, gjatë të cilit fokusin e vuri tek procesi i integrimit të Shqipërisë, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme tha se marrëdhëniet me Kosovën janë karakterizuar nga solidariteti i thellë dhe nga mbështetja e ndërsjellë.
“Shqipëria e vlerëson Kosovën gjithmonë në thelb të politikës sonë të jashtme dhe Kosova mbetet prioriteti ynë kombëtar. Në do të vazhdojmë të japim mbështetje të vazhdueshme, për ruajtjen e stabilitetit dhe integritetit të Kosovës, në një periudhë të ngarkuar me sfida të brendshme, por edhe të jashtme”, tha Hasani.
Tek ka folur për dialogun Kosovë-Serbi, ministri Hasani tha se Tirana zyrtare e mbështet këtë proces të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe inkurajoi njësoj të dyja palët për fleksibilitet dhe angazhim të vërtetë, drejt një marrëveshjeje që respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe që siguron paqe të qëndrueshme.
Kryediplomati i Shqipërisë listoi edhe veprimet që tha se Tirana zyrtare i ka ndërmarrë në përkrahje të Kosovës.
“Kemi ofruar gjithashtu mbështetje të vazhdueshme për Kosovën dhe institucionet e saj në këtë proces, duke lobuar që mundësitë e këtij dialogu të përfshijnë përfitime të prekshme për të dy vendet dhe për integrimin e Kosovës në bashkësinë evropiane. Ne kemi bërë thirrje për qëndrime të forta dhe të koordinuara ndërkombëtarisht, për të luftuar aktet e dhunës dhe terrorit, veçanërisht kur ato përdoren si mjete për të minuar procesin e paqes dhe të stabilitetit në rajon”, deklaroi ai.
Raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë janë zbehur në dy vjetët e fundit, prej kur kryeministri Edi Rama kritikoi homologun e tij, Albin Kurti, për veprimet në veriun e Kosovës të banuar kryesisht me serbë dhe për qasjen në dialogun me Serbinë.