Arbëri

Hasani paralajmëron izolim nëse Qeveria e re nuk e çon statutin e Asociacionit në Kushtetuese

Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka paralajmëruar se Kosova rrezikon izolimin nëse Qeveria e re nuk e dërgon statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese brenda një afati të shkurtër.

Sipas Hasanit, Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja nuk do të tolerojnë më vonesa apo lojëra fjalësh në dialog. Ai ka theksuar se Evropa sot ka sfida të tjera dhe nuk është e gatshme të humbasë kohë me një proces të stërzgjatur.

“BE-ja sot ka halle të tjera. Nuk besoj që ka vullnet në Evropë dhe SHBA që të tolerojnë një lojë fjalësh në dialog. Sa më shumë të vonohet Kosova, aq më e rëndë do të jetë situata për ne”, ka deklaruar Hasani në “Konfront” të KTV-së.

Ai gjithashtu ka nënvizuar se marrëveshja e arritur në Ohër, përfshirë formimin e Asociacionit, është një detyrim ndërkombëtar për Kosovën dhe nuk ka më hapësirë për shmangie.

“Kur merr detyrime ndërkombëtare, duhet t’i zbatosh. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë – politikanët, qytetarët, të gjithë”, ka shtuar ai.

Hasani ka lënë të hapur mundësinë që marrëveshjes t’i shtohen elemente të reja, por ka theksuar se detyrimet e marra nga kryeministri Albin Kurti në Ohër janë tashmë të pandryshueshme dhe të paevitueshme.


Hasani: 80% e punës së Qeverisë së ardhshme ka të bëjë me Asociacionin

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se cilado parti ta bëjë qeverinë e ardhshme, do të merret kryesisht me çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai ka shtuar se pavarësisht se asnjëra nuk e ka përmendur as gjatë fushatës, në qeveri Asociacioni ua merr rreth 80 për qind të punëve në tërësi.

“Qeveria e ardhshme detyrë kryesore, 90-70% të punës e ka çështjen e implementimit të marrëveshjes së Ohrit, që nënkupton implementimin e autonomisë që e ka pranuar në Ohër dhe Bruksel Kurti. Kurti e ka pranuar, por implementimi i saj ka qenë dhe është barrë e madhe për një parti. Ajo e do një konsensus të madh shoqëror, që do të thotë edhe koalicion qeveritar... Te ne nuk është thënë as në zgjedhje, por Qeveria Kurti 70-80% të punëve ka pasur të bëjë me të”, u shpreh ai në “Konfront”.


Hasani: Putini e Vuçiqi s’duan marrëveshje, por destabilizim

Profesori i së drejtës ndërkombëtare Enver Hasani thotë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë synim destabilizimin. 

Hasani në “Konfront” të KTV-së ka thënë se marrëveshja e paqes në Ukrainë nuk është synimi përfundimtar i Putinit. 

“Jam i bindur se Putini e ka këtë si mjet për të siguruar vegla për ta destabilizuar dhe ndihmuar pa ndërpre në proceset në Ukrainë. Nëse pranohet ajo që sot propozon Donald Trump, atëherë mandati i tij do të shkojë duke u marrë me Ukrainën e jo me Kinën. Ndërkohë Kina po fuqizohet...Putini se ka qëllim final marrëveshjen, siç nuk e ka edhe Vuçiqi marrëveshjen e Brukselit”, tha Hasani.