Arbëri

Hasan Dakaj lirohet nga burgu në Serbi

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hasan Dakaj, të premten është liruar nga burgu në Serbi.

Dakaj qe arrestuar nga autoritetet serbe në janar të vitit të kaluar teksa po kalonte pikën kufitare në Merdar së bashku me vëllain, pesë ditë pas liberalizimit të vizave.

Vëllai i tij, Gzim Dakaj, në një lidhje direkte me emisionin “60 Minuta” të KTV-së konfirmoi se rreth orës 17:00 e morën Hasanin nga pika kufitare në Merdar.

“Për momentin jemi t’u shku prej Merdares në drejtim të Prishtinës e më pas në shtëpi në Prizren. Gjendja e tij... mirë po duket. Avokati na ka lajmëruar se Hasani është liruar nga të gjitha akuzat. Avokati e ka pru deri në Merdar”, ka thënë Gzimi.

Nën akuza për krime lufte aktualisht në burg në Serbi po mbahet Nezir Mehmetaj dhe Tefik Mustafa.

Mehmetaj, që u arrestua në janar të vitit 2020, u dënua me gjashtë vjet burgim muajin e kaluar. Ndërsa Mustafa, i arrestuar në qershor të vitit 2024, vazhdon të jetë në paraburgim.