Arbëri

Hasaj: Qeveria nuk ka arritur të krijojë kanale për investime nga diaspora

Blendi Hasaj

Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv në Institutin GAP, Ka thënë se Kosova ka shumë biznesmenë dhe nga ana tjetër interesim nga diaspora, por se mungon një platformë që të bëhet ndërlidhja mes tyre.

Ai ka theksuar se Qeveria nuk ka arritur ta bindë diasporën që të investojë në Kosovë.

“Në bazë të dhënave se çfarë mundësish janë krijuar për diasporën që të investojë, atëherë jo, vetëm në 10 vjetët e fundit, del 2.5 miliardë të investimeve të diasporës janë patundshmëri”.

Hasaj ka shtuar se Qeveria nuk ka arritur të krijojë kanale për të ngrehur investime nga diaspora.  

“Ata janë të pozicionuar mirë në të gjithë sektorët atje... për shembull eksporti i shërbimeve në IT, shumica mendoj e firmave të suksesshme  kanë lidhje me ndonjë qytetar të Kosovës që jetojnë jashtë, që punon me firmë të programimit të madhe e më pas krijon edhe këtu një firmë amë. Por mungon instrumenti qeveritar, institucional që këtë ta kanalizojë më lehtë”.


Pantina: Ata që kanë ikur nga lufta në Perëndim, s’kanë të drejtë të thonë ‘mbroje Mitrovicën’

Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ata që kanë ikur nga lufta në Perëndim nuk kanë të drejtë të thonë tash ‘mbroje Mitrovicës’. Me këtë konstatim të saj nuk u pajtua dy panelistët e “Konfrontit”, Rron Gjinovci e Besnik Krasniqi.

“Ata që kanë shkuar jashtë Kosovës para viteve ’80 apo 90’, i përulem sepse kanë ikur prej zori dhe kanë bërë jetë jashtëzakonisht të vështirë. Ata kanë sakrifikuar shumë për familjen. Nëse fjala sakrificë ka kuptim është për ata njerëz. Por nuk kam respekt për që kanë ikur nga lufta në Perëndim, s’kanë të drejtë të thonë 'mbroje Mitrovicën’ e me thënë s’keni bë kurrgjë. Ata që kanë ikur në Bllacë, më afër e kanë pas Drenicën”, ka thënë ajo.

Por ka ndërhyrë Krasniqi duke thënë se gati krejt strukturat komanduese të UÇK-së kanë ardhur nga jashtë.

E Gjinovci ka theksuar se është problematike narrativa “kanë ik prej lufte”.

“Është problematike kjo narrativa ‘kanë ik prej lufte’, thu ti që ke pasur alternativa të tjera, por ti s’ke pas. Nuk ke pas ushtri. Ja me ik, ja me të vra”, ka thënë Gjinovci.


Gjinovci: Si një votues dhe ithtar i VV-së, më nuk kam motiv ta votoj Albin Kurtin

Opinionisti Rron Gjinovci thotë se si votues i Vetëvendosjes që ka qenë, në zgjedhjet e ardhshme të shkurtit nuk do të votojë.

Ka thënë se nuk ka motiv që ta votojë sërish Vetëvendosjen me Albin Kurtin në krye.

“Unë si votues i VV-së në zgjedhjet e fundit dhe mbështetës i ndryshimit të regjimit të vjetër, i flaktë, tash jam shumë skeptik a dal me votu a jo. Ndoshta nuk dal hiç me votu. Nuk shoh ndonjë motivim të madh me votu për Albin Kurtin dhe qeverisjen e tij. E pash se nuk do me qeverisë”, ka thënë ai.

“Mund të jem nga ata persona që nuk dal farë me votu këtë herë”.


Pantina: Shumë të panjohura se si do të organizohen zgjedhjet në ambasada e konsullata

Shqipe Pantina nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se ka shumë të panjohura se si do të organizohet procesi i zgjedhjeve në ambasada e konsullata.

Sipas Pantinës, organizimi i zgjedhjeve në ambasada e konsullata është më i komplikuar se organizimi në Kosovë. Ka përmendur disa arsye për këtë.

“Përgatitjet nuk janë fare afër për me ia mundësu me votu diasporës në ambasada e konsullata. Sepse është më e komplikuar me organizu zgjedhje në ambasada e konsullata sesa në Kosovë për disa arsye. E para, ligji jonë zgjedhor thotë se duhet të jetë një distancë e caktuar dhe votuesve duhet t’iu jepet mundësia e barabartë me shku në vendvotim. Nuk është e barabartë sepse përshembull ne e kemi ambasadën në Berlin dhe ai me ardh me votu prej Hannoveri apo tjetër qyteti. E dyta është se implikohen edhe çështjet e sigurisë. Duhesh me bo marrëveshje me policinë lokale që ata me i bë përgatitjet se duhet me qenë të njoftuar se para ambasadave mund të krijohet radhë. Pra, është shtesë prej këtu te na, ku Policia përfshihet në proces. Vëzhguesit e vendvotimeve, si do të organizohen?”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.

Prandaj, siç thotë Pantina, votimi në postë është më i lehti.  


Krasniqi: Në listë të votuesve janë mbi 2 mln e në Kosovë janë 1 mln banorë mbi 18 vjeç

Gazetari Besnik Krasniqi ka thënë se në listën preeliminare të Komisioni Qendror Zgjedhor janë mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote, e bazuar në regjistrimin e fundit të popullësisë së Kosovës janë afro 1.6 milionë qytetarë e me të drejtë vote janë pak mbi 1 milion. 

Ai ka thënë se gati gjysma e trupës elektorale janë shtetas jorezidentë të Kosovës. 

“Nëse përballemi me një listë votuese në të cilën bëjnë pjesë edhe shtetasit jorezidentë të Kosovës, atëherë i bie një milionëshi tjetër është përpos diasporës edhe diku tjetër. E pash një të dhënë interesante. Numri i votuesve të rinj është rreth 210 mijë. KQZ e saktëson se 150 mijë e kanë arritur moshën mbi 18 vjet në këto tri vjet të fundit. Por, edhe 85 mijë tjerë mund të konsiderohen votues potencialë pasi janë regjistruar për herë të parë në regjistër si qytetarë të pajisur me dokumente të Kosovës. Gjermania ka bërë ndryshim me rëndësi në legjislacion duke mundësuar dyshtetësinë. Shumë kosovarë në të kaluarën kishin hekur dorë nga shtetësia e Kosovës. E tash janë kthyer. Nuk është shifër e vogël 85 mijë qytetarë brenda tri vjetëve me hy në listë të votuesve”, ka thënë Krasniqi në “Konfront” të KTV-së.