Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i GAP-it, ka deklaruar se institucionet e shtetit përtojnë t’i realizojnë projektet që mbështeten nga vendet e tjera për shkak se monitorimi është më i madh.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se kur investohen paratë e huaja ekziston një grup i madh monitorimi që përcjell investimin e atyre parave.
“Është më vështirë të realizohen ato projekte. Është më e lehtë kur i ke paratë e shtetit tënd”, ka shtuar Hasaj.
Sipas tij, Qeveria ka qenë e rezervuar në ndarjen e buxhetit për investime të reja kapitale, derisa ka përmendur se Kosova ka nevojë për infrastrukturë më të mirë energjetike.
Krasniqi: Fjalimi i presidentes në Kuvend, miting politik - i mungon edhe legjitimiteti
Gazetari Besnik Krasniqi, ka thënë se fjalimi i presidentes Vjosa Osmani të enjten në Kuvend dukej si miting politik.
Sipas tij, Osmanit i mungon legjitimiteti si presidente.
Në “Konfront” të KTV-së, ai ka thënë se Osmani e cila e ka përmendur bixhozin lidhur me marrëdhëniet ndërkombëtare, është “po aq bixhozxhike sa kryeministri Albin Kurti”.
“Presidentja sot e shfrytëzoi sallën e Kuvendit për një miting politik meqë gjuha e saj ishte tërësisht e motivuar për efekte elektorale, për zgjedhjet që na vijnë. Krejt çka foli ishte një pështymë në fytyrën e vet. Edhe historia e tregon këtë. Akuza me e madhe ishte që po luhet bixhoz me aleatët. A kthehemi 4 vjet pas. LDK-ja u largua nga koalicioni me Vetëvendosjen, duke thënë se këtë po na e kërkon Amerika, akuzonin kryeministrin se po i prish raportet e Kosovës me Amerikën. Cili ishte roli i presidentes atëkohë? Vjosa Osmani nuk e mbështeti këtë qëndrim të LDK-së, pastaj u tërhoq prej LDK-së, pastaj iu bashkua Vetëvendosjes, pastaj krah për krah me Albin Kurtin nëpër mitingje elektorale vazhdimisht bënte thirrje për të mbështetur këtë zotërinë që sot e akuzonte për bixhoz me aleatët dhe nëpër ato mitingje e keni dëgjuar Kurtin duke thënë se bashkëpunimi me aleatët nuk nënkupton nënshtrim, dhe nënshtrimin sot ia përmendi presidentja. Ku ishte më herët ajo? Ka qenë po aq bixhozxhike sa vetë z.Kurti”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se Osmani ka hesape të hapura me Kurtin.
“Sa më shumë që iu ofrohemi skadimit të mandatit të presidentes, aq më i egërsuar do të jetë diskursi i saj në raport me Kurtin dhe Qeverinë. Çka pamë sot ishte se presidentja nuk ka pikë legjitimiteti. Është presidente legalisht, por i mungoi legjitimiteti”, ka shtuar ai.
Ibrahimi: Vetëm këtë vit, komunave u janë marrë 62 mln € për shkak të kontratave kolektive

Sazan Ibrahimi drejtor ekzekutiv i Asociacionit te Komunave te Kosovës, ka deklaruar se në 2024-n komunave iu janë marrë gjithsej 62 milionë euro nga Qeveria për shkak të kontratave kolektive.
Ai ka thënë të enjten në “Konfront” se shumica e mjeteve janë marrë nga investimet kapitale, kategoria e subvencioneve dhe disa nga pagat dhe shtesat.
“Për vitin tjetër, buxheti në bazë të granteve pritet të jetë 21.8 për qind, e sivjet ka qenë 22.4 për qind. Kemi ulje 0.6 për qind. Nëse e shohim nuk është shumë e madhe, por nëse e përkthen në financa, i bie që 21 milionë euro më pak do t’i kenë komunat”, ka shtuar Ibrahimi.
Pantina: Presidentja e ka për borxh të tregojë pse nuk e ngriti alarmin më herët
Opinionistja Shqipe Pantina ka deklaruar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duhet të sqarojë deklaratën e saj se “luajtja bixhoz me aleatët cenon Kosovën”, që e bëri të enjten në fjalimin e përvitshëm në Kuvend.
Pantina ka thënë në “Konfront” të KTV-së se shumë qytetarë mund të ndihen konfuz me deklarimet e Osmanit, derisa shtoi se deklarata duhet të sqarohet pasi ka ngritur shumë dilema.
“Osmani e ka borxh të dalë të sqarojë se ngriti shumë dilema, e shumë qytetarë ndihen konfuzë. Ata që merren me politikë e janë marrë me çështje të raporteve me miqtë e me procesin e dialogut, e dinë për kënd e kishte fjalën. E kishte për partinë në pushtet, por e ka borxh ta sqarojë më tutje”, ka thënë Pantina.
Sipas saj, Osmani është dashur të alarmojë më herët për “dëmtimin e raporteve me aleatët”.
“A ka biseduar me kreun e Qeverisë, çka ka bërë ajo si kreu i shtetit që këto raporte të mos cenohen?”, ka shtuar Pantina.