Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i institutit INDEP, ka thënë se 16 deri në 18 për qind e të hyrave të qytetarëve shkojnë në pagesa për energjinë elektrike.
Sipas tij, qeveria duhet të gjejë forma subvencionimi shtesë për qytetarët.
“Çmimi i rrymës llogaritet sa janë të hyrat. Nëse rroga mesatare në Kosovë është 570 euro dhe fatura mesatare e rrymës sillet rreth 80 euro, ne i bie që paguajmë 16-18 për qind të hyrave për faturë energjie.... Nëse i ke në Kosovë 60 mijë familje me më pak se 350 të hyra e paguajnë 50 euro, për ta i bie më shumë se 10% të hyrave totale me pagu vetëm një shërbim. Këtu është problemi që duhet të diskutohet”, u shpreh ai në “Konfront”.
Ejupi: Duhet t'i ngremë kapacitetet dhe ta kontraktojmë rrymën më herët
Drejtori ekzekutiv i institutit INDEP, Burim Ejupi, ka thënë se Kosova është e varur nga importi i energjisë elektrike, andaj nevojitet ngritje e kapaciteteve.
Të mërkurën në “Konfront” të KTV-së, mbi debatin nëse do të rritet çmimi i rrymës, Ejupi ka thënë se një alternativë më e pranueshme do të ishte kontraktimi i rrymës më parë nga ana e KESCO-s.
Sipas tij, një praktikë e tillë shihet në vendet e rajonit.
“Ne jemi të varur nga importi. Kur je i varur nga importi çfarë duhet të bëjmë është t’i ngremë kapacitetet tona, ose një gjë që nuk e bën KESCO apo ZRRE-ja është një propozim që e kemi dhënë – pse KESCO nuk e parapaguan apo nuk e kontrakton rrymën më parë. Mund të kontraktohet verës, e paguan çmimin më lirë, por ne shkojmë secilën herë një ditë më herët. Kjo është në interes të të gjitha palëve, vendet në rajon i kontraktojnë shumë më herët”, ka thënë Ejupi.
Hasaj: Çmimi i rrymës është mbajtur i ulët në mënyrë artificiale
Blendi Hasaj, drejtor ekzekutiv i Institutit GAP, ka thënë se çmimi i energjisë elektrike në Kosovë është mbajtur i ulët në mënyrë artificiale.
Ai ka shpjeguar se nuk ka pasur investime të reja për vite në fushën e energjisë dhe se kjo ka bërë që edhe të mos rritet çmimi.
“Çmimi i energjisë elektrike është mbajtur në njëfarë forme në mënyrë artificiale kaq i ulët. Ndër vite nuk kanë ndodhur investime të reja, kemi amortizim të aseteve të KEK-ut, ato janë tejet të vjetra, ka pasur plan për krijimin e mihjeve të reja, dhe të gjitha këto do reflektoheshin në tarifa më të larta. Por, qeveria ndër vite që të mos rritet presioni i çmimeve të larta të qytetarëve, e ka mbajtur çmimin shumë të ulët të energjisë”, ka thënë ai në “Konfront”.