Njohës të zhvillimeve në Ballkan kanë vlerësuar se nëse vjen në pushtet kandidatja demokrate për presidente, Kamala Harris, do ta trajtojë Kosovën si Tajvanin dhe Ukrainën. Sipas ekspertit amerikan, Daniel Serwer, kjo nënkupton se Kosova do të mbrohet nga pretendimet territoriale Serbisë, tek ka përjashtuar mundësinë që Harris të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republikës Serbe
Kandidatura e Kamala Harris për presidente të Shteteve të Bashkuara së dhe caktimi i Alexander Kasanof si Emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, po shihen si sinjal se administrata e re amerikane, do të angazhohet për ruajtjen e integritetit territorial të shteteve të Ballkanit.
Një ditë më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) njoftoi se Alexander “Sasha” Kasanof ka marrë detyrën e zëvendës/ndihmës sekretarit për Ballkanin Perëndimor, post të cilin e mbante Gabriel Escobar.
Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer ka thënë se, ky kombinim është një risi.
“Presidentja Harris nuk ka gjasa të kalojë shumë kohë në Ballkan. Jim O’Brien padyshim do të mbetet i angazhuar. Nuk e njoh Kasanofin, por përvoja e tij në Ukrainë mund të jetë një plus për ata që dëshirojnë të përforcohet sovraniteti dhe integriteti territorial i të gjitha shteteve aktuale të Ballkanit. Përveç kësaj, ai është i diplomuar në Johns Hopkins/SAIS. Le të shpresojmë se ai ka njohuri për dashurinë e vështirë”, ka shkruar Serwer në platformën e tij, “Peacfare”.
Kasanof, që nga 19 korriku, është edhe zëvendës ndihmës i sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të DASH-it. Kasanof kishte shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass. Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë. Ai madje ka marrë çmim për punën e tij si këshilltar politik në Ambasadën në Kiev gjatë Revolucionit të Maidanit dhe më pas pushtimit rus të Ukrainës.
“Detyrat e Sashas në Uashington përfshijnë: Drejtor i Zyrës për Politika Globale dhe Programe në Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, zëvendësdrejtor i stafit të Sekretariatit ezekutiv, drejtor i Zyrës për çështje të Evropës Lindore dhe zëvendësdrejtor i Zyrës për çështje të Kaukazit dhe konflikteve rajonale”, shkruan në faqen zyrtare të DASH-it.
Sipas biografisë të publikuar nga DASH-i, Alexander “Sasha” Kasanof ka përfunduar studimet në Kolegjin Kombëtar të Luftës, në Shkollën për Studime të Avancuara Ndërkombëtare në Johns Hopkins dhe në Kolegjin Hamilton.
Pasi u tërhoq nga gara edhe për një mandat tjetër, Presidenti Joe Biden, e propozoi zëvendësen e tij, Kamala Harris si kandidate për presidente.
Daniel Serwer ka vlerësuar se nëse vjen në pushtet kandidatja demokrate do ta trajtojë Kosovën is Tajvanin dhe Ukrainën.
“Harris është gjithashtu e ashpër ndaj Kinës, si Bideni ashtu edhe Trumpi. Kosova mund t'i duket si Tajvani dhe Ukraina. Kjo do të thotë se Kosova duhet të ruhet dhe mbrohet nga pretendimet territoriale të një shteti që është shpërbërë. Ajo s’ka gjasa të ketë simpati ndaj Asociacionit të komunave me shumicë serbe apo autonomisë së Republikës Serbe. Dikush duhet ta këshillojë herët dhe shpesh se të dyja janë të këqija”, ka shkruar Serwer.
Ish-diplomati amerikan është shprehur se administrata e presidentit Biden ka paraqitur një politikë të qetë ndaj Serbisë, por sipas tij, kjo nuk ka pse të vazhdojë nga Harris.
“Presidenti Vuçiq e ka orientuar Beogradin drejt Lindjes, duke u rreshtuar me Kinën, Rusinë dhe autokracitë e tjera, përfshirë Azerbajxhanin dhe Hungarinë. Furnizimet serbe me armatim për Ukrainë vlejnë, por ka mundësi që rrjedhin për çështje ekonomike”, ka thënë ai.
Për luftën në Ukrainë, Serwer ka thënë se Harris do që Kievi të fitojë dhe Moska të humbasë, por “ajo nuk do të pajtohet lehtë për ndarjen e territorit”.
“Ky qëndrim mund të bartet në Ballkan. Nuk do të doja të isha ai që do t’i thoshte një presidenteje grua, me ngjyrë, se njerëzit e etnive të ndryshme nuk mund të jetojnë së bashku”, ka shtuar Serwer.
Avancimi i raporteve dhe ruajtja e miqësisë me shqiptarët dhe Kosovën, ishte në mesin e çështjeve të listuara në një letër të Bidenit dhe kandidates aktuale, Harris, para se të mbaheshin zgjedhjet para katër vitesh.
Në këtë dokument jepej zotimi për ndryshim të qasjes së pabalancuar të ish-presidentit Trump dhe shtytjen e Kosovës dhe Serbisë drejt njohjes së plotë të ndërsjellë.