Arbëri

Haradinaj zotohet për uljen e papunësisë së grave

Kandidati për kryeministër i koalicionit rreth AAK-së, Ramush Haradinaj ka mbajtur tubim me gratë e Deçanit. Atyre u premtoi punësim e të drejta trashëgimore

Punësim e të drejta trashëgimore, u premtoi të premten grave në Deçan, Ramush Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër nga koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit.

Ai u zotua për mbështetje veçanërisht për gratë që jetojnë në zona rurale.

“Është folur shumë për çerdhe. E di që po na mungojnë. Është folë shumë për punësim të grave, veçanërisht grave në zona më të largëta rurale. Ekziston mundësia e projekte që i dedikohet punësimit të grave në këto zona. Ne do të jemi aktivë në të drejtën në trashëgimi. Këto që jua thashë ju siguroj që jam në gjendje me jua realizu”, ka thënë Haradinaj.

Mobilizim e rreshtim me koalicionin për “Kosovën fituese”, u kërkoi kandidatja për deputete Time Kadriaj.

“Për çka e ka shfrytëzuar 50 përqindëshin? E ka shfrytëzuar për partinë e vet dhe asgjë për Kosovën. Nëse e shohim se cilat janë rezultatet e kësaj qeverie, janë zero rezultate. Andaj kështu të mobilizuar siç jemi sot, të gjithë bashkë më datën 9 shkurt të dalim të votojmë numrin 137 që është ndryshimi për Kosovën ndryshe”, ka thënë ajo.

E, kandidatja për deputete, Diellza Kukaj, ka thënë se programi i koalicionit siguron mbështetje për gratë dhe rininë.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me liderin Ramush Haradinaj nuk ka veç fjalë. Në vend të vargjeve të kota të cilat thuren në tribuna ku do të duhej të paraqitet program për të ardhmen, njëjtë ne sot ofrojmë një program që ofron mbështetje për gra, mbështetje për sipërmarrëset e reja, ofron punësim për të rinjtë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, kryetari i Deçanit dhe njëkohësisht kandidati për deputet, Bashkim Ramosaj, ka thënë se qeveria Kurti është treguar e papërgjegjshme.

“Kemi pasur të bëjmë me njerëz që nuk guxojnë të jenë të përgjegjshëm, pasi e kaluara e tyre është e papërgjegjshme. Kanë ardhur në pushtet duke i fyer e duke i sharë, duke i lënduar institucionet, e duke i fyer vlerat tona që i ka krijuar çdo brez, e që i ka rrumbullakuar brezi i fundit që është Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, ka thënë ai.

Në tubimin me gratë e Deçanit, përfaqësues të këtij koalicioni premtuan edhe ulje të çmimit të energjisë elektrike dhe stabilizim të furnizimit me të.

Po ashtu për këtë komunë është premtuar ndërtimi i digës në Lloqan.

Programi i koalicionit rreth AAK-së parasheh ndërtimin edhe të shtatë digave të tjera: një në lumin Lepencë, një në lumin Manastircë, në Dragaçinë, në Pollatë, Kuqicë, Kremenadë, si dhe në Shushë të Vitisë ose në Pogragjë të Gjilanit. Përveç ujit të pijshëm, bazuar në program, digat do të shërbejnë edhe për ujitjen e tokave bujqësore, prodhimin e energjisë përmes hidrocentraleve dhe zhvillimin e zonave rekreative.

Programi qeverisës i koalicionit “Për Kosovën fituese” është i ngritur mbi katër shtylla, të cilat e përfshijnë anëtarësimin direkt të Kosovës në Aleancën Veriatlantike – NATO; zhvillimin ekonomik; përmbylljen e dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrimin në Bashkimin Evropian (BE); si dhe ndaljen e braktisjes së Kosovës nga qytetarët.

Ky koalicion është zotuar për dyfishimin e pagave të punonjësve në sektorin publik si dhe për rritjen e pagës minimale në vlerë mbi 500 euro.

Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. Ky koalicion është zotuar që të ndajë nga 1.500 euro për familjet që presin fëmijën e parë, nga 2.500 euro për ato që janë në pritje të fëmijës së dytë dhe nga 3.500 euro për fëmijën e tretë.

E, prioritetet e koalicionit janë në frymë me programin. Në krye të tyre është anëtarësimi në NATO, e miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në listën e prioriteteve është renditur rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, pastaj pagë mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. Po kështu, është listuar edhe ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 1500 MW. Në kuadër të prioriteteve është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit. Po ashtu janë paraparë reforma të thella në arsim dhe sistemin shëndetësor, e përfshirja e mërgatës në vendimmarrje dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e UÇK-së.