Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se përgjigja më e mirë e Kosovës dhe e vendeve të QUINT-it ndaj Serbisë është të hapej Ura e Ibrit në Mitrovicë.
Ai ka shkruar në Facebook të mërkurën se Serbia e ka poshtëruar bashkësinë ndërkombëtare dy herë brenda javës “me të ashtuquajturin ‘Kuvendin gjithëserb’.
“Brenda një jave Serbia dy herë poshtëroi Bashkësinë Ndërkombëtare dhe Quintin me të ashtuquajturin ‘Kuvendi gjithëserb’, ku u dhanë deklarata mesjetare e po ashtu edhe Vulin me deklaratat e tij mesjetare të cilat bien ndesh me thirrjet ndërkombëtare për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Bashkësia Ndërkombëtare dhe Kosova përgjigjen më të mirë do t’ia jepte Vulinit dhe të gjithëve me mendësi të tillë, me hapjen e Urës së Ibrit”, ka thënë kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Serbia dhe entiteti serb i Bosnje - Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë miratuar të shtunën Deklaratën për mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe politike dhe për një të ardhme të përbashkët të popullit serb.
Deklarata është miratuar në Beograd në një takim mes dy qeverive, në kuadër të të ashtuquajturit “Kuvend gjithëserb”.
Kuvendi synon vërtetimin e unitetit serb.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Deklarata i referohet Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje - Hercegovinë, dhe nuk përmendet përçarja në atë shtet.