Bojkoti i Listës Serbe

Haradinaj: Regjistrimi i popullsisë e shkarkimi i kryetarëve të mos lidhen me agjendat e Beogradit

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se procesi i regjistrimit të popullsisë si ai i votimit për shkarkimin e kryetarëve në katër komunat në veri nuk duhet të lidhen me agjendat politike të Beogradit. 

Haradinaj ka vlerësuar se thirrjet e Listës Serbe që serbët e Kosovës ta bojkotojnë procesin e regjistrimit të popullsisë si dhe tërheqja e anëtarëve serbë nga komisionet komunale zgjedhore në veri, janë në kundërshtim me normat demokratike dhe në dëm edhe të vetë qytetarëve serbë. 
Sipas Haradinajt ata duhet të jenë pjesë e proceseve që rrisin mirëqenien, sigurinë dhe përparimin e tyre.  

“Këto procese nuk duhet të lidhen me agjendat politike të Beogradit. Regjistrimi i popullsisë është interes i të gjithë qytetarëve, përfshirë edhe qytetarët serbë dhe në asnjë rrethanë nuk mund të ndikohet nga agjendat politike. Politika e Beogradit, duhet të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga instrumentalizimi i serbëve të Kosovës për agjenda politike”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Lista Serbe si subjekti më i madh i serbëve në Kosovë është deklaruar se s’do të marrë pjesë në votimin për shkarkimin e kryetarëve, duke e quajtur procesin “referendum të thirrur nga Albin Kurti”.

Kjo parti gjithashtu ka bërë thirrje për bojkotim të procesit të regjistrimit të popullsisë që ka filluar të premten e javës që shkoj.