Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka quajtur “mashtrim” vendimin e Qeverisë për rritjen e pensioneve, duke thënë se kjo shpërfaq mashtrimin në shkëmbim të votës.
Ai ka shkruar në Facebook se përpos mashtruese, rritja e pensioneve “është gjysma dhe nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve, por edhe lë jashtë kategori të tjera sociale”. Sipas Haradinajt, Qeveria po i mashtron një ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë.
Ish-kryeministri Haradinaj ka premtuar se në Qeverinë e ardhshme “qysh në ditët e para të qeverisjes të gjitha pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50%”.
“Rritja e pensioneve sot nga Qeveria në ikje është mashtrim. Ky mashtrim shpërfaq fytyrën e këtyre njerëzve që shkon përtej humanizmit sepse ka në vete mesazhin e mashtrimit në shkëmbim të votës për njërën ndër kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë, pensionistët. Përveç që është mashtruese, kjo rritje është gjysmake dhe duke marrë parasysh bazën e ulët të pensioneve, as nuk ndikon në mirëqenien e pensionistëve por edhe lë jashtë kategori tjera sociale. Në qeverinë e ardhshme që ne synojmë ta ndërtojmë, qysh në ditët e para të qeverisjes të gjitha pensionet dhe skemat pensionale do të kenë rritje të menjëhershme prej 50% dhe pastaj çdo vit rritje prej 10%. Të gjitha skemat pensionale do të jenë më shumë se paga minimale prej €500”, thuhet në reagimin e Haradinajt.