Përfaqësues të koalicionit rreth AAK-së, tubimin kryesor elektoral të shtunën e kanë organizuar në Klinë. Kandidati për kryeministër i këtij koalicioni, Ramush Haradinaj, ka premtuar ulje të çmimit të energjisë për 20 për qind dhe një termocentral me gaz
Ulje të çmimit të energjisë elektrike për 20 për qind ka premtuar të shtunën në Klinë kandidati për kryeministër nga radhët e koalicionit AAK-Nisma, Ramush Haradinaj.
Në tubimin elektoral në këtë komunë, Haradinaj është zotuar edhe për krijimin e kushteve për prodhim të energjisë me gaz.
“Kam me e ulë çmimin e energjisë. Mundem me ju thënë më shumë, edhe synoj, por për me qenë më i sigurt po ju them 20 për qind. Synojmë prodhim me gaz në rrethinë të Ferizajt, atë për 2 vjet e gjysmë. 6 muaj na merr gazsjellësi në Ferizaj e jo më shumë. E ka trasenë, ka ekzistuar edhe në kohë të Titos edhe Mahmut Bakallit gazsjellës. 2 vjet na merr centrali me gaz 540 mgv. Ne e kontrollojmë çmimin për qytetarët tanë”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka dhënë zotime edhe për projekte për Klinën, komunë në të cilën qeveris AAK-ja.
“Transiti, impianti i ujërave të zeza, hyrje daljet ma nuk kanë me u mvarë prej dikujt që i ndal fondet por keni me vendos vetë, po edhe mos u kujtoni, ngutuni bëni projektet e tjera se besoni, asnjë projekt i Klinës s’ka me u kthy mbrapa, ju siguroj këtë”, ka theksuar Haradinaj.
Ai është zotuar edhe për përfundimin e punimeve në rrugën Dollc-Gjakovë, të cilën ka thënë se synon që ta finalizojë nëpërmjet huave të buta nga Bashkimi Evropian.
“Rrugën e Dollcit ia kemi lënë krejt gati, të projektuar, të buxhetuar, pra Dollc-Gjakovë. Si është ardhë ia ka heqë paret. Shkuan 4 vjet e gjysmë qeverisjes së tij, më tregoni qysh është rruga. a ka naj ndryshim? Shyqyr që po shkon në shtëpi se ishim mbet pa rrugë”, ka thënë Haradinaj, duke aluduar në qeverisjen aktuale.
Në këtë komunë, ai e ka përsëritur zotimin për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ka premtuar edhe zhvillim ekonomik, në shkallën sa do t’i mundësojë të dyfishojë pagat dhe të rrisë pensionin e moshës në 500 euro. Krahas premtimeve, Haradinaj ka kritikuar qeverisjen aktuale edhe duke ironizuar me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
“Cili është suksesi ynë në diplomaci, nëse e din dikush 10-she e keni? Cili është suksesi ynë? E unë po ju tregoj cili është, na kanë largu prej Amerikës, nuk jemi në linjë me ta. Na kanë largu prej BE-së, kemi sanksione”, ka thënë Haradinaj.
Me Qeverinë e Albin Kurtit është marrë edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj.
“Qytetarë të Klinës e Kosovës, e keni parë para 4 viteve çka do të thotë të fitojë një parti e me humb Kosova. Kosova nuk duhet ta bëjë eksperimentin e radhës për të humbur edhe njëherë. Dallimi ynë me ta është se fiton e gjithë Kosova”, ka thënë Limaj.
Pos në Klinë, koalicioni mes AAK-së, Nismës, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit ka zhvilluar fushatë edhe në Viti. Edhe aty, kandidati për kryeministër i këtij koalicioni është zotuar për ndërtim të çerdheve.
“Së pari unë nuk e kryej mandatin, po ju siguroj, pa pasur çerdhe për çdo fëmijë të Kosovës. Nuk po i numëroj, sa se ai ka thënë kaq e aq çerdhe. Dëgjojeni këtë të vërtetë. Në katër vjet nuk do të mbetet fëmijë, ashtu siç nuk ka me mbet fëmijë pa shkuar në klasën e parë, pra që është obligative, që e ka detyrim. Kjo shoqëri me ua siguru, nuk do të mbetet fëmijë i Kosovës pa shkuar edhe në çerdhe. Fëmijë prej moshës 1 deri 6 vjeç do të jetë pjesë e një cikli parafillor”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka premtuar bursa për studentë, si për ata që studiojnë në universitet publik ashtu edhe në privat ndërsa ka thënë se gjatë qeverisjes së e tij nuk do të ketë pensione nën 500 euro.
Në programin qeverisës të koalicionit përfshihet edhe mbështetja për gratë dhe shtesa për fëmijët e porsalindur. 1500 euro është shuma që ky koalicion është zotuar se do ta ndajë për familjet që presin fëmijën e parë, 2500 për të dytin dhe 3500 për të tretin.
Në programin qeverisës koalicioni është zotuar edhe për ngritjen e cilësisë në arsim. Kjo përfshin, rritjen e buxhetit për arsim në 6 për qind të GDP-së, përmirësimin e infrastrukturës arsimore, rritjen e pagës për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50 për qind. Po ashtu koalicioni ka premtuar reforma në organizimin e shkollave dhe arsimit të lartë, si rrjetëzimin e shkollave duke i bashkuar paralelet e ndara dhe shkollat fillore me më pak se 50 nxënës. Një premtim tjetër i paraqitur në programin e koalicionit është ndryshimi në politikat makroekonomike dhe fiskale.