Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka deklaruar se rrugëtimi momental i Kosovës është i gabuar, duke shtuar se po merr kah tjetër dhe “duhet të marrë disa hapa të vërtetë për të ecur përpara”.
Haradinaj ka shkruar në Facebook të dielën se AAK-ja e ka vizion ta rikthejë Kosovën në perspektiven e saj për anëtarësim në NATO dhe për ta bërë “vend të jetueshem, e jo të braktisur”.
Në një tubim madhështor në Bern të Zvicrës, mes vëllezërve e motrave tona, bashkëbiseduam hapur për sfidat që i ka Kosova dhe nevojat e saj në këto rrethana jo të lehta. Para tyre e elaborova hapur situatën e tanishme, situatë që përcillet me brengosje nga secili shqiptar kudo që është.
“Rrugëtimi momental i Kosovës është i gabuar, ai duhet të marrë kahje tjetër. Kosova duhet të marrë disa hapa të vërtetë për të ecur përpara. Vizioni i Aleancës dhe partnerët e saj në koalicion, Kosovën e rikthen në perspektivën e saj për anëtarësim në NATO, zhvillim ekonomik e për ta bërë vend të jetueshëm e jo të braktisur. Anëtarësimi në NATO është frymëmarrje e lirë për secilin qytetar dhe hapi i cili e siguron lirinë tonë. Aleanca del para qytetarëve të saj me një moto të thjeshtë e të kuptueshme; “Per një Kosovë ndryshe”. Për një Kosovë, për të cilën është punuar ndër breza dhe janë burgosur dhe e kanë dhënë jetën mijëra luftëtarë e patriotë”, ka shkruar Haradinaj, duke njoftuar se ka mbajtur tubim në Bern të Zvicrës.
Sipas ish-kryeministrit Haradinaj, programi i tij bazohet në një Kosovë më të plotë, më sovrane, më të fortë dhe më demokratike.