Arbëri

Haradinaj premton në Rahovec rritjen e subvencioneve në bujqësi

Në tubimin zgjedhor me qytetarë të Rahovecit, kandidati për kryeministër i koalicionit mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Forumit të Intelektualëve – E30, Ramush Haradinaj, është zotuar se me fitimin e mandatit për të qeverisur do t’i përkrahë të gjitha projektet e kësaj komune. E kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, në këmbim të votës u ka premtuar qytetarëve në Rahovec zhvillim ekonomik dhe anëtarësim në NATO

Rritje të subvencioneve në bujqësi ka premtuar të enjten Ramush Haradinaj, kandidat për kryeministër nga koalicioni mes AAK-së, Nismës, Konservatorëve dhe Forumit të Intelektualëve – E30.

Në tubimin zgjedhor me qytetarët në Rahovec, Haradinaj është zotuar se me fitimin e mandatit për të qeverisur, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, do t’i përkrahë të gjitha projektet e kësaj komune.

“Nuk ka vend që je më mirë me punë e te zoti sesa në Rahovec me pru paranë apo buxhetin e Kosovës. Nuk e di a mund të dërgosh diku më me drejt sesa te ju. Nuk e di kush është më punëtorë se ju. Duhet me i rrit subvencionet në bujqësi e jo me ua vonuar, jo me i torturuar. Nuk mund me ju lënë vetëm nëse ka fatkeqësi natyrore”, ka thënë Haradinaj. “Nëse e udhëheq Qeverinë e Kosovës, projektet e juaja nuk keni për t’i bërë me para të Komunës, ato para kemi me ua lut juve që t’i bëni më shumë për t’i përkrahur bujqit e fermerët, e projektet e mëdha kemi me i bërë ne, Qeveria e Kosovës”.

Në këmbim të votës, kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, u premtoi qytetarëve zhvillim ekonomik e anëtarësim në NATO.

“Rreshtimi ynë në këto vlera Kosovës do t’i shtojë shumë të mira. Siguri më shumë, NATO, zhvillim ekonomik. Kosovës do t’ia sjell atë që i mungon tani, siguri energjetike. Sa më shumë energji, ka më shumë përparësi, ka më shumë siguri për Kosovën. Sa ma shumë siguri të pavarur, ka të hyra më shumë, ka shtete më shumë, e ka për fermerë, për punëtorët, për mësimdhënësit, për mjekët, për veteranët më shumë”, ka thënë Limaj, tek theksoi se vendit i duhen politikanë të pjekur.

“Rreshtoheni rreth atyre që nga fjalët kalojnë në vepra. Kosova ka nevojë për politikanë të pjekur. Kosova ka nevojë për zëra racionalë. Kosova kurrë më shumë s’ka pasur nevojë për bashkim, për energji pozitive. Ne refuzojmë përçarje”, ka shtuar ai.

E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili është edhe kandidat për deputet, ka thënë se Qeveria Kurti është treguar arrogante dhe neglizhuese karshi komunës.

“I bën përmbi 11 mijë vota, e nuk bën për Rahovecin as lavrën e miut. Na lanë pa noterë, po vazhdojnë t’i maltretojnë poshtë e përpjetë bujqit, qytetarët e bizneset. Na i vonuan dhe po i vonojnë subvencionet, e po i shpërndajnë në mënyrë selektive, qe besa deshën t’i ulin ato por ne u mobilizuam dhe nuk i lejuam”, ka thënë ai.

Në programin qeverisës të koalicionit parashihet reduktimi i TVSH-së për farëra, fidanë, për materialin gjenetik shtazor, plehra kimikë, pesticide, për vaksinat e blegtorisë dhe për lëndët e tjera të para që përdoren në bujqësi dhe blegtori. Koalicioni është zotuar po ashtu për heqjen apo uljen e akcizës dhe të taksës së naftës për bujqësinë. Ka premtuar edhe sigurimin e formave shtesë të financimit, si kredi të buta. Ky koalicion ka premtuar njashtu investime prej mbi 100 milionë eurosh për sistemin e ujitjes së tokave bujqësore si dhe ndërtimin e liqeneve akumuluese për sigurimin e ujit të nevojshëm për bujqësi dhe amvisëri.

Koalicioni u zotua për zhvillimin e programeve dhe trajnimeve për edukimin e fermerët, duke organizuar kurse me përgatitje profesionale edhe në zonat rurale për t'i dhënë nxitjen e nevojshme industrisë agropërpunuese dhe zhvillimeve bujqësore. Në programin e koalicionit parashihet edhe zhvillimi i politikave që kanë në qendër familjet që merren me bujqësi, blegtori, pemëtari dhe aktivitete të tjera rurale, si dhe angazhimi në eliminimin e barrierave jotarifore që vendosen nga vendet rajonale ndaj prodhimeve vendore ushqimore. Koalicioni AAK-Nisa-Konservatorët-Intelektualët parasheh krijimin e programit “Eksploro Fermerin”, për zhvillimin e turizmit rural. Ky koalicion ka paraparë ndryshim në Ligjit për trashëgimin, në mënyrë që toka t'u jepet atyre që e punojnë dhe jetojnë prej saj.

Programi qeverisës i koalicionit përfshin edhe dyfishimin e pagave në sektorin publik dhe rritje të pagës minimale mbi 500 euro. Po ashtu ky koalicion ka premtuar formimin e ministrisë për familje.