Arbëri

Haradinaj premton industri ushtarake në Gjakovë

Në tubimin me qytetarët në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj u zotua në aktivizimin e aeroportit të Gjakovës për fluturime komerciale. Në Gjakovë ai premtoi investime edhe në industrinë ushtarake

Zhvillimin e industrisë prodhuese ushtarake në Gjakovë ka premtuar, Ramush Haradinaj, i cili është kandidat për kryeministër nga koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve, Konservatorëve dhe Idealit.

Në tubimin me qytetarët në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi”, Haradinaj u zotua në aktivizimin e aeroportit të Gjakovës për fluturime komerciale.

“Do ta aftësojmë aeroportin për fluturime civile e komerciale. Kemi paraparë po ashtu një industri ushtarake pasi kemi një poligon të mirë në atë pjesë”, ka thënë Haradinaj.

Ai u zotua edhe për disa projekte infrastrukturë prej nga do të përfitojnë edhe qytetarët e Gjakovës. Haradinaj ka thënë se autostrada e Dukagjinit që lidh Prizrenin me Mitrovicën do të kalojë përmes Gjakovës, që sipas tij do të bëhet arteria kryesore e zhvillimit. E, zotimi për ndërtimin e hekurudhës Fushë Kosovë – Durrës, sipas Haradinajt, do t'i japë Gjakovës lidhje të drejtpërdrejtë me portin më të madh të rajonit.

Para të pranishmëve, Haradinaj ka thënë se do të ndërtojë në këtë komunë zonë të biznesit amerikan, që sipas tij do ta shndërrojë Gjakovën në qendrën më të madhe shpërndarëse të rajonit.

E kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, e quajti eksperiment aventurist qeverisjen katërvjeçare të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se qytetarët janë mashtruar nga kjo qeverisje.

“Ky njeri ka ofenduar shumë Gjakovën, ka gërvishtur plagët Gjakovë, përmes plagëve ka fituar votë. Ka ardhur në Gjakovë e u tha se nuk bëjë marrëveshje me Serbinë pa u dakorduar për të pagjeturit dhe bëri marrëveshje, ju ka mashtruar”.

Qeverisjen e VV-së e kritikoi edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini.

“Përfundon duke iu ngatërruar në punë edhe presidentit të Amerikës, a veç punën e vet nuk e kryen”, ka thënë Gjini. “Po harrojnë me thanë që një kryeministër ka shkua 15 herë në Greqi asnjëherë nuk ka ardhur në zyrën time. Dhe as që ka kërkuar të vjen”, ka shtuar ai.

Gjatë ditës, Hardinaj ka vizituar edhe Muzeun e masakrës në Krushë të Madhe. Ai po ashtu është takuar me gratë e kooperativës bujqësore “Krusha”.

“Me përulje e respekt jam këtu edhe për të thënë që kurrë nuk do të ndodhë që dyert e qeverisë të jenë të mbyllura për gratë e Krushës. E di që kemi edhe shumë punë për të bërë bashkë edhe për të zhdukurit me dhunë edhe për dëmet që janë shkaktuar, por modeli juaj i punës dhe organizimit tregon se mund t'i bëjmë bashkë, edhe të ecim para me kokën lart edhe të punojmë për të zbardhur fatin e të gjithëve nga e kaluara jonë”, ka shkruar Haradinaj në profilin e tij zyrtar në Facebook. “Ju jeni heroinat e Kosovës, ju keni vendin e veçantë në historinë e lirisë dhe shtetbërjes, ju jeni patriotët e paqes”, ka shtuar ai.

Dhjetë prioritetet e koalicionit nisin me anëtarësimin e Kosovës në NATO, e miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në listën e prioriteteve është po ashtu rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, pastaj paga mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. Po ashtu është premtuar edhe ndërtimi i një termocentrali me kapacitet 1500 MW. Është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit.

Po ashtu në kuadër të dhjetë premtimeve është edhe reforma e thellë në arsim dhe në sistemin shëndetësor, si dhe përfshirja e mërgatës në vendimmarrje dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.