Koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit ka mbajtur tubim me rininë në Suharekë, të mërkurën. Kandidati për kryeministër, Ramush Haradinaj, atyre u ka premtuar bursa për studime e mbështetje me grante për bizneset e reja
Mbështetje me grante pa kthim për bizneset e reja, e bursa për studime, u ka premtuar të rinjve, kandidati për kryeministër i koalicionit mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate, Forumit të Intelektualëve E30, Konservatorëve dhe Idealit, Ramush Haradinaj.
Në tubimin me të rinjtë në Suharekë, të mërkurën, ai po ashtu është zotuar për përfundimin e ndërtimit të stadiumit dhe digës në Dragaçinë.
“E meritoni zgjidhjen e ujit përjetësisht, pra ujësjellësin e Dragaçinës duhet ta bëjmë. Nuk mundemi me lënë Suharekën pa e kry shpejt në kohë stadiumin, është i nevojshëm se ka sportistë ka klube, ka kampionë, është detyrë e jona me kry shpejt. Nuk mundemi me lënë qytetin pa ngrohje qendrore. Nuk mundemi me i lënë të rinjtë tanë pa bursa, por edhe pa status financiar derisa të gjejnë një punë”, ka thënë ai.
Kandidati për kryeministër i koalicionit “Për Kosovën Fituese”, Haradinaj, ka folur edhe për rëndësinë e marrëdhënieve të mira me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Kosova fiton, e ju fitoni, e ne fitojmë, nëse dimë me u lidh shpejt me presidentin Trump, me administratën e re amerikane, nëse hyjmë shpejt në NATO, ka përftimin të sigurisë, politikës, ekonomike. Nëse e humbin rrugën do të na shkojë më vështirë e nuk do të ketë momente të lehta për Kosovën”, ka thënë ai.
Veçmas premtimeve, ai ka lavdëruar punën e kryetarit të komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili edhe është kandidat për deputet nga ky koalicion.
Sipas Haradinajt, kundërshtarët e tij duhet të trajnohen nga Muharremaj, sesi qeveriset me institucione.
“Partive të tjera që vijnë të kërkojnë votë në Suharekë, po të isha unë i Suharekës, do ju thosha që keni të drejtë të kërkoni votën, por hajdeni të bëni shkollë sesi qeveriset. Modeli i qeverisjes në Suharekë i mungon Kosovës”, ka thënë ai.
E Muharremaj është shprehur i bindur se koalicioni i disa partive do të dalë fitues në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Kur e shoh këtë fuqi, kur i shoh këta të rinj, kur ju shoh e di që ndryshimi po vjen, pra ndryshime do të vijë më 9 shkurt. Do të ketë perspektive, ju jeni ata që do ta udhëheqin qeverinë e Republikë së Kosovës”, ka thënë ai.
Gjatë ditës, anëtarë të koalicionit kanë zhvilluar takim edhe me banorët e fshatit Korish të Prizrenit.
Haradinaj atyre u ka premtuar se politikat e koalicionit parashohin mundësi për përparimin e fshatrave.
“Në Kosovën ku fitojnë të gjithë, fshatrat si Korisha do ta kenë mundësinë e përparimit të hovshëm. Garantova që çmimi i energjisë nuk do të ngritët dhe do të ulet të paktën për 20%. Që çlirimtarët do të gëzojnë pensionin pa shkëputje nga puna”, ka thënë ai.
Haradinaj ka vizituar edhe një fabrikë të mobileve në Suharekë si dhe ka mbajtur takim me banorët e Hasit.
“Bujaria, trimëria dhe dashuria e tyre për atdheun është e pakrahasueshme. Kjo tokë ka dhënë heronj në çdo kohë dhe sot po jep shembullin më të mirë të bashkimit për Kosovën ku fitojnë të gjithë. Hasjanët i sigurova se do të trefishojmë subvencionet për bujqësi. Rinisë do t’i ofrojmë grante pa kthim për bizneset e reja dhe bursa për secilin që dëshiron të studiojë”, ka shkruar Haradinaj pas takimit në Has.
Dhjetë prioritetet e koalicionit nisin me anëtarësimin e Kosovës në NATO, e miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian. Në listën e prioriteteve është renditur rritja ekonomike vjetore deri në 7 për qind e 1 miliard euro për bizneset e reja dhe ato prodhuese-eksportuese, pastaj paga mesatare 1 mijë euro e pensione mbi 500 euro. Po ashtu është premtuar edhe ndërtimi i një termocentralit me kapacitet 1500 MW. Është përfshirë edhe përmbyllja e projekteve rrugore që kanë mbetur në gjysmë dhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit.
Po ashtu në kuadër të dhjetë premtime është edhe reforma e thellë në arsim dhe në sistemin shëndetësor, si dhe përfshirja e mërgatës në vendimmarrje dhe pensione pa shkëputje nga puna për veteranët dhe invalidët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.