Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kritikuar Qeverinë për arritjen e marrëveshjes për targat me Serbinë dhe për vendimin mbi projektin e gazit.
Në një konferencë për media ai këto dy ngjarje i ka vlerësuar si goditje të rënda për Kosovën.
“Dje Kosova ka marrë dy goditjet më të mëdhatë që nga pavarësia. Dje është nënshkruar marrëveshje qe e kthen Kosovën 10 vjet prapa dhe është refuzuar projekti për gazin. Ka vendosur t’i rikthej targat ilegale të Serbisë që i kemi hequr 10 vjet më parë. Është pajtuar që njësitë elite të policisë të trajtohen njëjtë si bandat kriminale në polici”, ka thënë ai.
Haradinaj shtoi se kryeministri Albin Kurti e ka marrë vendimin më anti-shqiptar duke mos e çuar përpara projektin e gazit.
“Ky njeri e ka bërë hisedare Serbinë, ky njeri dje ka marrë vendimin më anti-shqiptar dhe më anti-amerikan në histori duke i thënë jo projektit të gazit. Edhe me marrëveshjen për targat dhe gazsjellësin amerikan ky njeri e ka nisur epokën anti-Kosovë dhe anti-amerikan”.
Ndërkaq, tha se “heshtja e presidentes e bën edhe me të dhimbshme”.
“Albin Kurti me dy veprimet e fundit e ka rrezikuar shtetin, partneritetin me SHBA-në, i ka plotësuar të gjitha kushtet për dorëheqje. Mbetja e tij në detyrë vetëm edhe për një dite është e dëmshme për Kosovën”, tha Haradinaj.
Haradinaj theksoi se do të ndërmarrin çdo veprim sipas demokracisë, duke përmendur edhe protestat.