Arbëri

Haradinaj për qeverinë në largim: E rrezikshme, Kosova s’ka nevojë për udhëheqje të tillë

Albin Kurti - Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa ka folur për paralajmërimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të rryëmës për 15 për qind, e ka quajtur qeverinë në largim të paaftë dhe të rrezikshme. 

Sipas tij, Kosova meriton një tjetër udhëheqje. 

Sipas tij, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka shkatërruar sektorin e energjisë me vendimet e tij, të cilat ai i ka quajtur të papërgjegjshme. 

“Me krenari e pati anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri, duke i humbur Kosovës 21 milionë euro dëm në arbitrazh. E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës! Sot, përballë krizës ekonomike dhe rritjes së çmimeve të çdo produkti jetik, Qeveria e godet edhe një herë qytetarin me rritjen e çmimit të rrymës. Paralajmërimi i ZRRE-së për shtrenjtim prej 15% nga 1 prilli është një goditje e rëndë për mirëqenien e familjeve kosovare dhe për ekonominë e vendit”, ka shkruar ai në Facebook.